Showbiz

H.E.R. e padit kompaninë e saj incizuese, kërkon shkëputjen e kontratës

Këngëtarja e shpërblyer me çmim “Grammy”, H.E.R., e ka paditur kompaninë incizuese, “MBK Entertainment”, duke pretenduar se kontrata e saj i thyen rregullat e kodit të punës dhe duhet të anulohet.

Në padinë e paraqitur në gjykatën e Los Angelesit, H.E.R., emri i vërtetë i së cilës është Gabriella Wilson, pretendon se kompania “MBK Entertainment” e udhëhequr nga menaxheri i saj, Jeff Robinson, e ka shkelur kodin e biznesit dhe profesioneve me kontratën e saj të cilën e kishte nënshkruar kur ishte vetëm 14-vjeçare, raporton portali “Rolling Stone”.

Padia pretendon se këngëtarja nuk kishte përfaqësim të duhur ligjor të pavarur pas nënshkrimit të kontratës për bashkëpunim me “MBK”, në vitin 2011.

Robinson, themeluesi i kompanisë dhe ish-menaxheri i yllit të muzikës, Alicia Keys, u bë menaxher i këngëtares H.E.R. menjëherë pasi ajo e nënshkroi kontratën, dhe besohet se e pushoi nga puna firmën e saj të vjetër ligjore, përpara se t’i sillte avokatët e tij për ta negociuar marrëveshjen e bashkëpunimit. Një veprim i tillë mund të paraqesë konflikt të mundshëm interesi, sepse i bie që Robinson e përfaqëson artisten dhe kompaninë në të njëjtën kohë. Padia gjithashtu pretendon se avokatët i morën 5 për qind nga marrëveshja që ata negociuan, por që këngëtarja nuk u pajtua kurrë me atë tarifë.

Padia e këngëtares gjithashtu pretendon se kontrata e shkel statutin shtatë-vjeçar të kodit të punës të Kalifornisë dhe se marrëveshja duhet të jetë e anulueshme pasi ka skaduar më 18 maj të vitit 2019.

Megjithëse e re në moshë, H.E.R. e gëzon një karrierë të suksesshme në muzikë. Ajo shquhet për hite të shumta muzikore si, “Fight For You”, “Could’ve Been”, “Damage”, “Slide”, Focus” dhe të tjerë.