I sapo dalë nga beteja ligjore me ish-gruan e tij, aktori Johnny Depp ka njoftuar se ai dhe kitaristi legjendar, Jeff Beck do të publikojnë një album muajin e ardhshëm, i cili do të përmbajë kryesisht “covera” të disa këngëve.
Albumi me 13 këngë të dyshes do të titullohet "18" dhe do të publikohet më 15 korrik. Ata thanë se e titulluan albumin me këtë numër pas shpërthimit krijues që ndjenë teksa punonin bashkë, raportoi Associated Press.
“Ne po bënim shaka se si u ndjemë sërish 18 vjeç, kështu u bë edhe titulli i albumit,” tha Beck në një deklaratë.
Albumi përmban “covera” të këngës "Venus In Furs" të The Velvet Underground, baladës "Let It Be Me" të Everly Brothers dhe klasikes shpirtërore të Marvin Gaye "Ëhat's Going On".
Ekzistojnë gjithashtu versione të "Midnight Walker" të Davy Spillane, dhe dy këngë nga kryevepra e Beach Boys, "Pet Sounds" - "Caroline, No" dhe "Don't Talk (Put Your Head On My Shoulder).
Depp, prej kohësh anëtar i grupit rock “Hollywood Vampires” me Alice Cooper dhe Joe Perry, filloi regjistrimin me Beck në vitin 2019 derisa i është bashkuar edhe turneut aktual evropian të Beck.
Në fillim të këtij muaji, një juri mbajti anën e Depp-it në padinë e tij për shpifje kundër ish-gruas Amber Heard, duke i dhënë aktorit të "Pirates of the Caribbean" më shumë se 10 milionë dollarë dëmshpërblim, dhe duke justifikuar akuzat e tij se Heard ka shpifur ndaj tij përmes akuzimit për abuzim gjatë martesën e tyre të shkurtër.
Por në një vendim të ndarë, juria zbuloi gjithashtu se edhe ndaj Heardit ishte shpifur nga një prej avokatëve të Depp, i cili e akuzoi atë për krijimin e një mashtrimi të detajuar që përfshinte përdhosjen e banesës së çiftit për t'u dukur më keq për policinë. Juria i dha asaj 2 milionë dollarë dëmshpërblim.