Showbiz

Rita Ora i bashkohet kastës së aktorëve të filmit aksion “Tin Soldier”

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, i është bashkuar kastës së aktorëve të filmit “Tin Soldier”. Në këtë projekt, ajo do të luajë krahas yjeve tjerë të filmit si: Jamie Foxx, Shamier Anderson, Robert De Niro, Scott Eastwood, John Leguizamo, Joey Bicicchi, Nora Arnezeder dhe Saïd Taghmaoui.

Aktualisht, filmi i zhanrit aksion është duke u xhiruar në Greqi dhe vjen me regji të Brad Furmanit.

Ora duket se është e lumtur që është bërë pjesë e këtij projekti dhe gëzimin e saj e ndau edhe me ndjekësit në rrjetet sociale.

Ende nuk dihen hollësi rreth rolit të Ritës në filmin e ardhshëm “Tin Soldier”.

Regjisori i projektit të mbushur me skena aksion, Furman, ka zbuluar se ai fokusohet në historinë e kryepersonazhit, “The Bokushi”, i cili portretizohet nga Jamie Foxx. Ai i mbron veteranët dhe është i rrethuar nga truproja, persona që e adhurojnë dhe armë, prandaj edhe e ka ndërtuar një fortesë për ta mbrojtur veten.

Rita Ora përveç karrierës së suksesshme në muzikë, i gëzon edhe disa role filmike të cilat janë mirëpritur nga publiku mbarë botëror. Ajo ka luajtur në tre filma “Fifty Shades” ku e portretizoi motrën e kryepersonazhit, Mia Grey.

“Twist”, “Southpaw”, “Fast & Furious 6” dhe “Pokemon Detective Pikachu” janë disa prej projekteve kinematografike ku ajo ka pasur role të vogla. Së shpejti ajo do ta huazojë zërin për një personazh të serialit të animuar të Netflixit, “Kung Fu Panda: The Dragon Knight”, krahas yllit të komedisë Jack Black.

Po ashtu së fundmi kanë filluar të qarkullojnë thashetheme se Rita dhe i dashuri i saj, regjisori i famshëm nga Zelanda e Re, Taika Waititi, po planifikojnë të martohen në fund të këtij viti. sipas portali “Daily Mail”, burime të afërta të dyshes kanë bërë të ditur se ata po planifikojnë të organizojnë një ceremoni intime jashtë vendit, para se të festojnë me miqtë e tyre të famshëm në Londër.

“Qëllimi i tyre nuk është të bëjnë bujë për këtë gjë, por thjeshtë janë të dashuruar me njëri-tjetrin dhe kanë vendosur se kjo është koha e duhur për ta zyrtarizuar lidhjen e tyre. Që të dy janë shumë të lumtur për këtë”, ka deklaruar një burim i afërt i çiftit.

Image

Fituesi i çmimit “Oscar”, Taika Waititi, në të kaluarën ka qenë i martuar me producenten Chelsea Winstanley me të cilën i ka dy vajzat, Te Hinekāhu dhe Matewa Kiritapu.

Ndërsa, Rira Ora, shquhet për lidhjet me disa personalitetet të famshme si, Bruno Mars, Rob Kardashian, Calvin Harris, Andrew Watt, Romain Gavras, Andrew Garfield dhe Ricky Hill.