Showbiz

Snoop Dogg anulon turneun në Britani të Madhe

Reperi amerikan, Snoop Dogg, i ka anuluar koncertet e mbetura për vitin 2022, si pasojë e konflikteve të paparashikuara të planifikimit, duke përfshirë detyrimet familjare dhe projektet e ardhshme televizive dhe filmike.

Kjo do të thotë turneu i ardhshëm, “I Wanna Thank Me”, që pritej të mbahej në Britani të Madhe në muajin gusht, është pezulluar. Fillimisht, ky turne ishte planifikuar të zhvillohej më 2020-ën dhe kishte për qëllim promovimin e albumit të vitit 2019 me të njëjtin titull, mirëpo u shty për sivjet si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Tani, turneu është anuluar plotësisht dhe të hollat e biletave do t’iu kthehen të gjithë fansave që tashmë i kishin blerë ato online.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, zëdhënësit e reperit deklaruan: “Miq dhe adhurues të dashur, për shkak të konflikteve të paparashikuara në agjendën e Snoop Doggut, përfshirë këtu detyrimet familjare dhe projektet e ardhshme televizive dhe filmike të tij, me keqardhjen më të madhe ju njoftojnë se reperi po i anulon koncertet e mbetura të turneut. Ai ishte shumë i entuziazmuar për t’i takuar fansat anembanë botës dhe ju kërkon falje të gjithë atyre që tashmë kishin bërë plane për t’i ndjekur koncertet e tij. Snoop mezi pret t’i ricaktojë data e reja për vitin e ardhshëm”.

Edhe koncertet e planifikuara që të mbahen në Australi në muajt tetor dhe nëntor, janë anuluar po ashtu.

Së fundmi, reperi dhe aktori i njohur, 50 Cent, e bëri të ditur lajmin se seriali për të cilin ishte duke punuar bashkë me Snoop Doggun, është anuluar. Dy reperët ishin bërë bashkë për realizimin e projektit televiziv me titull, “A Moment In Time: Murder Was The Case”, i cili fokusohej në ngjarjet kriminale që kishin ndodhur prapa skenave të historisë së muzikës hip-hop.

Ngjarja e serialit zhvillohej në vitin 1993, kur Snoop përballej me gjykatën rreth vrasjes së Phili Woldermariamit, një anëtar i bandës rivale i cili u vra nga truproja e reperit, McKinley Lee. Që të dy, Lee dhe Snoop, emri i vërtetë i së cilit është Calvin Broadus, u shpallën të pafajshëm ndaj akuzave për vrasje të shkallës së parë dhe të dytë.