Justin Timberlake ia ka shitur të gjithë katalogun e këngëve të tij një kompanie administruese të mbështetur nga Blackstone, duke iu bashkuar një vale mega yjesh të kohëve të fundit që po i shesin të drejtat për muzikën e tyre për shuma të mëdha parash.
Firma me bazë në Londër “Hipgnosis Song Management”, njoftoi të enjten blerjen e të gjitha të drejtave të autorit për këngët e Timberlaket, një total prej rreth 200 këngësh, sipas themeluesit të Hipgnosis, Merck Mercuriadis, njoftot CNN-i.
Në mesin e këngëve përfshihen hitet "SexyBack", "Can't Stop the Feeling" dhe "Mirrors".
Vlera e marrëveshjes nuk është bërë e ditur, por njerëzit e njohur me këtë çështje e kanë vlerësuar atë mbi 100 milionë dollarë, shkruan “The Wall Street Journal”.
Koleksioni muzikor i Timberlake shtrihet mbi 20 vjet. Këngëtari fitoi famë në vitin 1995 si anëtar i grupit të djemve “NSYNC”. Pas suksesit ndërkombëtar të grupit, Timberlake filloi një karrierë solo që ka përfshirë pesë albume në studio dhe 40 singla.
Shitja mori më shumë se një vit për t'u përmbyllur dhe është pjesë e një tendence në rritje të megayjeve që shesin katalogët e tyre muzikorë, ku përfshihen Bob Dylan, Bruce Springsteen, Neil Young dhe Stevie Nicks. Megjithatë, në moshën 41-vjeçare, Timberlake është më i ri se ikonat e tjera muzikore që kanë bërë marrëveshje të ngjashme.
Timberlake nuk është i vetëm mes yjeve më të rinj që marrin pagesa të menjëhershme për bashkëpunimin e tyre me Hipgnosis. The Chainsmokers, një dyshe krijuese e hiteve të muzikës elektronike, ia shiti firmës katalogun në vitin 2019, derisa Shakira arriti një marrëveshje me Hipgnosis në janar të këtij viti.
Artistë ose grupe të tjera që kanë bërë marrëveshje me Hipgnosis janë Red Hot Chili Peppers, Journey, Blondie dhe Neil Young.
Marrëveshja mbulon vetëm të drejtat e publikimit të Timberlake, kështu që vetëm këngët që ai i kishte shkruar, përfshihen në marrëveshje.