Johnny Depp po qëndron i palëkundur në pretendimet e tij, se dëshmia e ish-bashkëshortes, Amber Heard, në gjyqin e tyre për shpifje, është e gjitha e rreme.
Teksa u kthye në tribunë të mërkurën, aktori tha në sallën e gjyqit në Fairfax, Virxhinia, se ai asnjëherë nuk ka kryer dhunë seksuale dhe as abuzim fizik ndaj dikujt.
"Asnjë qenie njerëzore nuk është perfekte, sigurisht që jo. Asnjë prej nesh. Por unë kurrë në jetën time nuk kam kryer dhunë seksuale e abuzim fizik. Kjo nuk është e lehtë për asnjë prej nesh, unë e di këtë”, ka thënë Depp.
Ai tha se dëshmia e ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard është çmenduri, qesharake dhe poshtëruese.
"Pavarësisht se çfarë ndodh, unë arrita këtu dhe thashë të vërtetën dhe kam folur për atë që kam mbajtur në shpinë pa dëshirë për gjashtë vjet”, ka thënë ai në gjyq.
Për disa javë me radhë po zhvillohet seanca gjyqësore ndërmjet aktorëve të famshëm, pasi Deppi e ka paditur Heardin për shpifje. Në gjyqin që ka nisur më 11 prill, Deppi ka argumentuar se artikulli i Heardit i vitit 2018 në “The Washington Post” në lidhje me “mbijetesën në dhunë familjare” e ndoti reputacionin e tij dhe i shkatërroi mundësitë për karrierë të mëtutjeshme, edhe pse ajo nuk e përmendi atë me emër në artikull.
Dyshja u martuan në vitin 2015 dhe u ndanë në maj të vitit 2016, kur Heard, 36 vjeç, kërkoi një urdhër ndalimi kundër Deppit, duke e akuzuar atë për abuzim. Deppi i mohoi pretendimet dhe ish-çifti e zgjidhi divorcin e tyre jashtë gjykatës në gusht të vitit 2016.
Megjithëse Depp ka thënë nën betim se nuk e ka goditur kurrë Heardin ose ndonjë grua në jetën e tij, aktorja e Aquaman dëshmoi për raste të shumta kur ai dyshohet se e goditi me shuplakë, e shqelmoi, e sulmoi seksualisht ose i hodhi objekte. Ajo gjithashtu pranoi se e kishte goditur atë si hakmarrje, dhe të dy kanë thënë se ishin verbalisht "të këqij" me njëri-tjetrin.
Actor Johnny Depp told a jury that accusations from his ex-wife Amber Heard, including claims of physical and emotional abuse, are ‘unimaginably brutal, cruel and all false’ https://reut.rs/38jfgW3
Posted by Reuters on Wednesday, May 25, 2022