Showbiz

Skandali i Will Smithit nuk e ndal zhvillimin e filmit “Bad Boys 4”

Descriptive Text

Vazhdimi i katërt i filmit “Bad Boys” është në realizim e sipër, pavarësisht incidentit të shkaktuar nga Will Smithi në ceremoninë “Oscar”.

Studioja filmike “Sony” e ka konfirmuar lajmin se projekti “Bad Boys 4” është duke u zhvilluar sipas planit, pas raportimeve të fundit në media se realizimi i këtij filmi është pezulluar si pasojë e skandalit që e shkaktoi protagonisti i tij, me ta goditur me shuplakë në fytyrë komedianin, Chris Rock.

Duke folur për portalin “Deadline”, kryetari i studios “Sony”, Tom Rothman, i mohoi raportimet se është anuluar realizimi i vazhdimit të katërt të filmit, duke i quajtur ato të pasakta. Rothman gjithashtu e përshkroi incidentin e ceremonisë “Oscar” si një ngjarje fatkeqe.

“Ai film ka kohë që është në zhvillim dhe vazhdon të jetë ende. Nuk ka pezullime të projektit, të përkohshme apo permanente. Incidenti që ndodhi në ceremoninë ‘Oscar’ ishte fatkeq dhe nuk mendoj se më takon mua ta komentojë atë. Por mund të them lirisht se kam disa vjet që e njoh Will Smithin, dhe e di që ai është një person shumë i mirë. Ajo çka ka ndodhur është një shembull tipik i një njeriut të mirë që është duke e përjetuar një ditë të keqe, dhe atë në praninë e gjithë botës. Mendoj se kërkim falja dhe pendimi i tij janë të sinqerta, dhe besoj se të gjithë duhet të mësojmë si të falim”.

Pas shuplakës së papritur dhe shokuese që Smith ia dha Rockut, në praninë e kolegëve në sallë dhe në sytë e publikut që po e ndiqte ceremoninë nga shtëpia, ylli i filmit “I, Robot” i kërkoi falje publike komedianit të njohur, si dhe hoqi dorë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve. Njëkohësisht atij i është ndaluar pjesëmarrja në ceremoninë glamuroze kinematografike për dhjetë vjetët e ardhshëm.

“Bad Boys 4” i sjellë aktorët Will Smith dhe Martin Lawrence në rolet e detektivëve, Mike Lowrey dhe Marcus Burnett. Ai vjen pas filmit të kaluar “Bad Boys For Life”, i cili u lansua në vitin 2020.