Showbiz

Traileri i ri i filmit “Thor” e zbulon personazhin e aktorit Christian Bale

Descriptive Text

Studioja “Marvel” e ka publikuar trailerin e dytë të filmit, “Thor: Love and Thunder”, i cili i sjell pamjet e para të aktorit Christian Bale në rolin e personazhit të lig, Gorr The God Butcher.

Në pamjet e reja po ashtu përfshihet aktorja Natalie Portman, e cila e portretizon superheroinën Jane Foster.

Ky është filmi i katërt që e sjell aktorin australian, Chris Hemsworth, në rolin e heroit të dashur të botës, Thor. Si regjisor rikthehet, Taika Waititi, i cili e ka realizuar vazhdimin e vitit 2017, “Thor: Ragnarok”. Disa nga fytyrat tjera të njohura për publikun që do të rikthehen me rolet e tyre në film janë, Tessa Thompson dhe Chris Pratt, ndërsa yjet e rinj që i bashkohen kastës së aktorëve janë, Russell Crowe, Matt Damon, Melissa McCarthy dhe të tjerë.

Në një intervistë të fundit, Waititi e ka quajtur projektin e ri “Thor: Love And Thunder”, një prej filmave më të çmendur që i ka realizuar ndonjëherë dhe i ka premtuar fansave se do të argëtohen shumë duke e shikuar atë.

Pas lansimit të filmit “Doctor Strange In The Multiverse Of Madness” në fillim të muajit maj, vazhdimi i ri i filmave “Thor” do të bëhet projekti i 29-të i bazuar në universin kinematik “Marvel”, që fillon së shfaquri nëpër kinema nga 8 korriku.