Showbiz

Pas pothuajse dy dekadash, i vjen fundi emisionit “The Ellen DeGeneres Show”

Episodi i fundit i emisionit “The Ellen DeGeneres Show” do të transmetohet në fund të javës, dhe prezantuesja e famshme bashkë me gruan e saj, Portia de Rossi, kanë filluar t’i bëjnë planet për të udhëtuar jashtë shtetit me disa miq të afërt, teksa Ellen po bëhet gati ta fillojë kapitullin e ri në karrierën e saj, raporton portali “Female”.

“Menjëherë pas transmetimit të finales së shout, Ellen, Portia dhe disa miq të afërt të tyre, përfshirë këtu vëllain e saj, Vance DeGeneres, do të udhëtojnë drejt Rwandas për ceremoninë e hapjes së kampit të saj dedikuar gorillave”, deklaroi një burim i afërt i çiftit për gazetën “The Sun”.

Në muajin prill, DeGeneres e postoi një mesazh në Twitter përmes së cilit e konfirmoi lajmin se tashmë është xhiruar episodi i fundit i emisionit të saj shumë të shikuar ndër vite.

“Sot e kemi xhiruar episodin e fundit të ‘The Ellen Show’ i cili transmetohet më 26 maj. Kur e kemi filluar këtë emision në vitin 2003, telefonat mobil iPhone nuk kanë ekzistuar. Rrjetet sociale nuk kanë ekzistuar. Martesat mes personave të gjinisë së njëjtë nuk ishin legale. Së bashku ne e kemi parë botën duke ndryshuar, nganjëherë për të mirë e nganjëherë për të keq. Por, çfarëdo që ndodhte, qëllimi im kryesor gjithmonë ka qenë që emisioni të ishte një vend ku të gjithë bëheshim bashkë dhe qeshnim e argëtoheshim për një orë. Të qenit pjesë e jetës suaj ka qenë privilegji më i madh për mua dhe më ka sjell shumë lumturi në jetë. Për këtë ju falënderojë shumë”, deklaroi prezantuesja dhe komediania e dashur nga publiku.

Ellen DeGeneres, e cila e krijoi emisionin e famshëm ditor në vitin 2003, vazhdon ta tregojë dashurinë e saj për kafshët. Ruajtja e gorillave është projekt pasioni për yllin televiziv dhe tani për tani, ajo nuk ka ndonjë plan të përcaktuar për karrierën e saj.