Showbiz

Alban Ukaj dhe ekipi i filmit “Tori and Lokita” e shënuan premierën në Cannes

Ekipi i filmit “Tori and Lokita”, pjesë e së cilit është edhe aktori i mirënjohur kosovar Alban Ukaj, parakaloi mbi qilim të kuq të shtruar me rastin e premierës së këtij projekti në kuadër të Festivalit të filmit në Cannes.

Vëllezërit regjisorë belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, me filmin e ri garojnë për “Palmën e Artë” për të nëntën herë në 23 vjetët e fundit, raportoi agjencia e lajmeve “AP”.

Ndërkaq, për Albanin kjo është hera e dytë që është pjesë e festivalit prestigjioz. Mbi qilim të kuq ai deklaroi: “Vëllezërit Dardenne për mua janë mësues, miq të mirë, regjisorë të jashtëzakonshëm dhe dy prej personave më intelektual që i kam takuar në jetë. Kam mësuar shumë rreth aktrimit falë tyre, fillimisht gjatë bashkëpunimit në filmin ‘Heshtja e Lornës” e pastaj edhe me filmin e ri ‘Tori dhe Lokita’”.

“Tori and Lokita” e rrëfen historinë e një djaloshi 12-vjeçar dhe një vajze 16-vjeçare, që të dy refugjatë afrikanë në Belgjikë, të cilët provojnë ta ruajnë shoqërinë e tyre teksa përballen me kushte mizore. Ukaj e luanë rolin e një kuzhinieri i cili i keqpërdor fëmijët me pretekstin se u ndihmon lidhur me letrat për azil, vetëm pse janë nevojtarë.

Vëllezërit Dardenne e kanë një histori mbresëlënëse në këtë festival. Në vitin 1999 ata e fituan çmimin kryesor “Palma e Artë” për filmin “Rosetta” dhe në vitin 2005 for projektin kinematografik “L’enfant”. Ata u shpërblyen me çmim në kategorinë “Regjisori më i mirë” për filmin e vitit 2019, “Young Ahmed”, u nderuan me çmimin “Grand Prize” për filmin “The Kid with a Bike” dhe e rrëmbyen shpërblimin “Skenari më i mirë” për filmin “Lorna’s Silence”, ku rolin protagonist e kishte aktorja kosovare Arta Dobroshi.

Edicioni i 75-të i Festivalit të filmit në Cannes përmbyllet me 28 maj.