Showbiz

Grupi “BLACKPINK” e hijeshon ballinën e revistës “Rolling Stone”

Katër vajzat e grupit të njohur të muzikës K-Pop, “BLACKPINK”, e hijeshojnë ballinën e numrit të ardhshëm të revistës ikonike dedikuar muzikës dhe kulturës, “Rolling Stone”.

Të hënën (23 maj) u bë i ditur lajmi se, Rose, Lisa, Jennie dhe Jisoo, do të jenë pjesë e ballinës së kësaj revistë për muajin qershor, si dhe këngëtaret e kanë dhënë një intervistë ekskluzive ku flasin për shumë gjëra nga jeta e tyre profesionale dhe personale.

Valltarja dhe reperja e grupit, Lisa, ndër të tjera ka folur hapur për kohën e vështirë në karrierën e saj kur nuk mund të incizonte këngë të reja, raportoi portali “NME”.

Anëtarja e lindur në Tailandë, tregoi se e kishte përjetuar një vit të vështirë në kohën kur grupi i muzikës K-Pop i publikoi hitet, “As If It’s Your Last” dhe “Ddu-du Ddu-du”, kjo ngase nuk mund të këndonte dhe ndihej sikur po i zhgënjente mikeshat e saj. Megjithëkëtë, Lisa nuk e ka treguar arsyen se pse e kishte të pamundur të interpretojë.

Në të njëjtën intervistë, anëtaret e “BLACKPINK” diskutuan për presionin që vjen me famën. Ato zbuluan që, ndërsa agjencia “YG Entertainment” u kishte ofruar klasa të shëndetit mendor dhe terapi gjatë asaj kohe, përpjekjet e tyre ishin të padobishme.

“Ne kishim të njëjtat probleme, kështu që ishte më mirë të flisnim me njëra-tjetrën” deklaroi Jisoo.

Në muajin prill, mediat koreane ekskluzivisht raportuan se bendi i famshëm pritet të lansojë muzikë të re në fillim të kësaj vere. Edhe vet këngëtaret kanë lënë të nënkuptohet se do të rikthehen shumë shpejtë në skenë.