Gruaja e cila fundjavën e kaluar, e kreu lindjen gjatë koncertit të grupit “Metallica” në Brazil, e ka pranuar një telefonatë urimi nga vokalisti i bendit, James Hetfield.
Artistja e tatuazheve, Joice M. Figueiró, ishte në javën e 39-të të shtatzënisë kur vendosi ta ndjekë koncertin e rok grupit të njohur amerikan, më 7 maj në stadiumin “Couto Pereira” në Curitiba, i cili ishte pjesë e turneut të “Metallicas” nëpër Amerikën Jugore.
Joice, e cila ishte ulur në seksionin e për personat me nevoja të veçanta të stadiumit, u ndje mirë gjatë performancave të grupeve shoqëruese “Ego Kill Talent” dhe “Greta Van Fleet”, por i filluan dhimbjet e lindjes në momentin që “Metallica” doli në skenë.
Duke qenë se nuk kishte kohë për ta dërguar atë në ndonjë spital, Figueiro u detyrua ta kryej lindjen në klinikën emergjente të krijuar për nevojat e ndjekësve të koncertit.
“Luan Figueiró erdhi në këtë botë më 7 maj 2022 në orën 23:15, duke i trazuar të gjitha strukturat e metalit në klinikën e vendosur brenda koncertit”, kishte shkruar Joice në postimin që e lajmëroi lindjen e foshnjës.

Sipas saj, bendi ishte duke e interpretuar këngën e fundit të koncertit, “Enter Sandman”, në momentin që fëmija erdhi në jetë.
Të martën (10 maj), vetëm disa ditë pasi lajmi i kësaj lindje të jashtëzakonshme u përhap nëpër mediat botërore, Figueiró e ndau një video të shkurtër me ndjekësit në Instagram, ku ajo dhe bashkëshorti Jaime Figueiró shihen duke e pranuar një telefonate të veçantë nga rokeri, James Hetfield.
Joice tregoi se telefonata zgjati gjithsej 7 minuta dhe se ajo e kishte xhiruar atë për ta mbajtur kujtim gjithë jetën.
Ndërkaq në një intervistë për “The Washington Post”, Joice ka deklaruar se eksperienca e lindjes së fëmijës në koncertin e bendit “Metallica” u shoqërua me emocione të përziera, duke qenë se nuk ishte planifikuar të ndodhte ashtu dhe ajo kishte frikë që ekipi mjekësor nuk ishte gati për ta kryer lindjen. Por, fatmirësisht gjithçka shkoi mirë dhe tani çifti e ka një histori unike për t’ia treguar fëmijës së tyre, rreth mënyrës se si erdhi në këtë botë.