Showbiz

Përfaqësuesja e Lituanisë u paraqit në Eurovision me fustan të vjetër, s'pati para për të riun

Kompanitë e basteve nuk i dhanë asnjë shans përfaqësueses së Lituanisë për të kaluar në finale të festivalit të këngës “Eurosong”, por ajo befasoi dhe do të ngjitet në skenën e madhe më 14 maj në Torino.

Më shumë se për këtë, këngëtarja Monika Liu u bë temë për fustanin që zgjodhi për natën gjysmëfinale, të mbajtur të martën mbrëma, shkruan “Klix” të mërkurën.

Dhe ishte i njëjti fustan me të cilin kishte fituar në festivalin e mbajtur në Lituani, ku u përzgjodh për të përfaqësuar vendin.

Këngëtarja tha se nuk pati para për të blerë fustan të ri.

“Po mendoja për një fustan tjetër dhe ai që më pëlqeu ishte shumë i shtrenjtë. Veç kësaj kuptova që fustani që kam është thjesht shumë i përshtatshëm dhe tashmë është bërë pjesë e pandashme e performancës sime”, tha Monika Liu.

As veshja “e vjetër” dhe as parashikimet e kompanive të basteve nuk e penguan Monikën të arrinte në finale.

Pos Lituanisë, vendin në finale nga nata e parë gjysmëfinale, e siguruan edhe Zvicra, Armenia, Islanda, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda.

Paraqitja e Monika Liu në festivalin e Lituanisë: