Aktorja me famë botërore, Megan Fox, e ka rrëmbyer gjithë vëmendjen me intervistën e saj të fundit tejet personale.
Fox ka pozuar për numrin e ri të ballinës së revistës “Glamour” në Britani të Madhe, me ç’rast edhe e ka dhënë një intervistë ekskluzive ku foli për tema të ndryshme si, stili i saj jo i zakonshëm i rritjes së fëmijëve, sfidimi i patriarkatit në Hollywood, feminizmi dhe thyerja psikike që e kishte përjetuar si pasojë e traumës së shkaktuar nga fama.
Aktorja e cila i ka tre djem, Noah, Bodhi dhe Journey, me ish-bashkëshortin Brian Austin Green, ka rrëfyer hapur për kritikat me të cilat është ballafaquar për faktin se e ka lejuar djalin e saj të madh që të vesh fustane, raportoi të mërkurën portali “Yahoo Life”. Por, siç shpjegon ajo, ky nuk është problemi i saj por i të tjerëve.
“Nuk mund ta kontrolloj mënyrën se si njerëzit e tjerë reagojnë ndaj fëmijëve të mi. Nuk dëshiroj t’ua imponoj atyre stilin e jetës dhe nuk dua t’i detyroj të sillen sipas rregullave të fëmijëve me të cilët ata shkojnë në shkollë. Kjo është gjithashtu arsyeja pse unë nuk i ekspozoj djemtë e mi në Instagram apo media sociale. E rëndësishme është që unë jam shumë krenare për fëmijët e mi”.
Aktorët Fox dhe Green e finalizuan shkurorëzimin në fillim të këtij viti, kjo pasi jetuan të ndarë për dy vjet. Modelja e shndërruar në aktore tani është e fejuar me këngëtarin, Machine Gun Kelly, emri i vërtetë i së cilit është Colton Baker. Çifti ka një vit e gjysmë që është në lidhje dhe romanca e tyre ndiqet me shumë vëmendje nga publiku mbarë botërorë. Shpesh ata komentohen për gjërat e jashtëzakonshme që i bëjnë si çift.
“Herë pas here ne e pimë gjakun e njëri tjetrit. Por vetëm disa pika të gjakut. Këtë e bëjmë vetëm për qëllime rituale”.
Në këtë intervistë, Fox e përshkroi veten si feministe e cila gjithmonë e ka jetuar jetën në mënyrën e saj, pa u ndikuar nga të tjerët. Por kjo nuk i ka shërbyer gjithmonë për të mirë. Aktorja tha që vetëm kohëve të fundit, njerëzit kanë filluar ta vlerësojnë për kundërshtimin e patriarkatit në industrinë e filmit, në një kohë kur shumica nuk guxonin ta bënin këtë.
“Mendoj se unë kam qenë shumë përpara lëvizjes #MeToo, pothuajse një dekadë më e hershme. Unë gjithmonë flisja kundër disa sjelljeve abuzive, mizogjene dhe patriarkale që po ndodhnin në Hollywood në vitet 2008 dhe 2009, shumë përpara se njerëzit të ishin gati ta pranonin ose ta toleronin këtë. Dhe në fakt jam tallur për faktin që kam vepruar ashtu”, deklaroi aktorja.
Në një periudhë të jetës, traumat si pasojë e famës i shkaktuan Foxit thyerje psikike, duke e detyruar të largohet nga qendra e vëmendjes së publikut për shkak të objektivizimit seksual me të cilin u përball nga njerëzit në internet.
Sot, Megan Fox thotë se gjen ngushëllim në rrugëtimin e saj jetësor dhe jo në opinionet e njerëzve të panjohur.