Showbiz

Jennifer Garner uron çiftin Ben Affleck dhe Jennifer Lopez për fejesë

Aktorja shumë e dashur hollywoodiane, Jennifer Garner, e ka uruar ish-bashkëshortin, Ben Afleck, për fejesën e tij me yllin e muzikës dhe filmit, Jennifer Lopez, raportoi të mërkurën portali “Female”.

Garner e cila me Affleckun i ka fëmijët, Violet, Seraphina dhe Samuel, nuk ka arsye për të qenë e mërzitur me lajmin e fejesës së çiftit dhe thuhet se e gëzon një raport të mirë me Lopezin.

“Ajo ka reaguar mirë ndaj lajmit të fejesës, madje edhe i ka uruar personalisht. Jennifer dhe Ben ka kohë të gjatë që janë ndarë dhe mes tyre është sqaruar gjithçka. Ajo është e lumtur nëse ai vazhdon të jetë esëll dhe të kujdeset për shëndetin e tij, gjë që Ben po e bën ngase kjo pjesë është shumë e rëndësishme edhe për Lopezin. Sa i takon aktoreve, ato kanë respekt të madh për njëra-tjetrën si nëna dhe si gra. Ato kanë raporte të mira dhe komunikojnë me njëra-tjetrën. Gjithashtu e dinë se përmes martesës së ardhshme, ato do të jenë pjesë e familjes së tyre për gjithë jetën”, deklaroi një burim për portalin “HollywoodLife”.

Garner dhe Affleck, të cilët qëndruan të martuar nga viti 2005 deri më 2018, vazhdojnë të jenë miq të mirë edhe pas shkurorëzimit dhe thuhet se aktorja me siguri do të jetë e ftuar në dasmën e çiftit të njohur të showbizit.

“Ajo është pjesë e familjes së Benit prandaj nuk ka arsye pse të mos ftohet në dasmë. A do të shkojë apo jo, mbetet vendimi i saj. Por, ajo e ka krijuar një lidhje të afërt me Lopezin sepse e dinë që është e rëndësishme për fëmijët e tyre, që ato të kenë raporte të mira komunikimi”, deklaroi një tjetër burim.

Besohet se dasma e Benit dhe JLos do të jetë e madhe dhe çifti nuk do të kursehet në organizimin e saj. Edhe nëse ata vendosin të martohen me një ceremoni private me vetëm miqtë e afërt dhe familjen e tyre, ajo prapë do të jetë dasmë e madhe.

Çifti i lumtur u ribashkua më 2020-n, pasi i dhanë fund fejesës në vitin 2004.

Jennifer Lopez ka qenë e martuar tri herë dhe kjo është fejesa e pestë e këngëtares. Ajo i ka binjakët 14-vjeçar, Max dhe Emme, me ish-bashkëshortin Marc Anthony.