Aktori legjendar i Hollywoodit, Harrison Ford, për herë të parë në karrierën e tij do të luajë në një serial të madh televiziv. Më parë ai ishte paraqitur me role të vogla në projekte të tilla, por asnjëherë si protagonist.
Ylli i filmave “Star Wars”, do të jetë pjesë e kastës së projektit të ardhshëm të platformës AppleTV+, “Shrinking”, krahas aktorëve të njohur Jason Segel, Bill Lawrence dhe Brett Goldstein, bëri të ditur të martën “The Hollywood Reporter”.
Aktori 79-vjeçar, në serial e portretizon rolin e Dr. Phil Rhodes, një psikolog i zgjuar, i mbështetur plotësisht te vetja dhe i cili shquhet si legjendë në qasjen terapeutike të quajtur “Terapia Kognitive e Sjelljes”. Sidoqoftë, pasi Phil arrin ta zhvillojë një biznes të suksesshëm me dy kolegët e tij, Jimmy dhe Gaby, ai diagnostikohet me sëmundjen e Parkinsonit, e cila e ngadalëson dukshëm punën e tij.
Shou televiziv përqendrohet në historinë e personazhit të aktorit, Jason Segel, i cili e portretizon kolegun e Philit. Ai është një psikolog i pikëlluar që humb besimin, thyen etikën dhe u tregon pacientëve të tij saktësisht se çfarë po mendon. Pasi heq dorë nga të gjitha mësimet dhe rregullat e punës si psikolog, ai e gjen veten duke bërë ndryshime të rëndësishme në jetën e tij dhe njerëzve tjerë.
Një tjetër projekt madhor i aktorit ikonik, Ford, është vazhdimi i pestë i filmit “Indiana Jones”, por regjisori i këtij projekti të shumëpritur, James Mangold, u ka kërkuar fansave të tregohen të durueshëm deri sa ta përfundojë filmin ashtu siç dëshiron ai.
Filmi ku luajnë edhe aktorët, Phoebe Waller-Bridge, Mads Mikkelsen dhe Antonio Banderas, besohet se e ka detyruar Fordin ta adaptojë një regjim të rreptë të ruajtjes së shëndetit. Ai po i dedikohet seriozisht ushtrimeve fizike, që po e bëjnë të duket sa gjysma e moshës së tij.
Në korrik të këtij viti, Harrison Ford e feston ditëlindjen e 80-të.