Showbiz

Rock thyen heshtjen pas shuplakës së Smithit

Komediani Chris Rock ka thyer heshtjen pas goditjes që mori nga aktori Will Smith në skenën e “Oscars” të dielën. Komediani në një shou në Boston të mërkurën u shpreh shkurt se ende është duke “e përpunuar” atë që ndodhi në fundjavë.

57-vjeçari të dielën bëri shaka për pamjen e bashkëshortes së Smithit, Jada Pinkett Smith, live në skenën e “Oscars”. Smith doli në skenë dhe e goditi shuplakë Rockun duke marrë vëmendjen edhe nga ndarja e çmimeve për më të mirët.

Teksa Smith ka kërkuar falje publike, Rock ende s’kishte komentuar ngjarjen.

Të merkurën, në shoun e tij, Rock nisi paraqitjen para audiencës duke i pyetur ndjekësit “Si ishte fundjava juaj?”.

Pasi u mirëprit me duartrokitje të shumta, ai vazhdoi duke thënë se dëshiron të jetë i drejtpërdrejtë për çështjen duke shtuar se “s’ka asgjë për të thënë”.

“Jam duke e përpunuar se çka ka ndodhur, andaj një ditë do të flas për këtë”, u shpreh 57-vjeçari duke shtuar se “do të jetë serioze e pak humor”.

Biletat për shoun “Rock’s Ego Death” përjetuan ngritje të madhe të çmimit pas ngjarjes që shokoi botën e filmit të dielën.

Smith në një shkrim në Instagram ditën pas ngjarjes kishte kërkuar falje. Ai e kishte cilësuar si tepër të rëndë shakanë për gjendjen mjekësore të bashkëshortes, që ka kokën e rruar për shkak të alopecias.

Akademia ka hapur procedurë disiplinore ndaj Smithit.