Ashtu siç ishte paralajmëruar, Beyonce, e dha një performancë të jashtëzakonshme në kuadër të ceremonisë së sivjetme “Oscar”.
Diva e muzikës e interpretoi këngën “Be Alive”, që është kolona zanore e filmit “King Richard”, nga fusha e tenisit në Compton të Kalifornisë, ku motrat Serena dhe Venus Williams, kishin ushtruar para se të bëheshin kampione të botës në tenis, raportoi të hënën televizioni "CNN".
Beyonce së bashku me valltarët e saj, këngëtaret shoqëruese dhe muzikantë të shumtë, e sollën një koreografi të mrekullueshme dhe performancë muzikore live, të cilën mund ta presësh vetëm nga një artiste legjendare siç është ajo.
Performanca dukej magjike edhe falë kombinimit të veshjeve të këngëtares me shoqëruesit e saj, ku dominonte ngjyra e gjelbër neon. Kurse, Beyonce, e kompletoi dukje glamuroze me stoli prej diamanti, përfshirë këtu edhe një llastik çorapesh po ashtu me gurë vezullues.
Yllit të muzikës në këtë moment të rëndësishëm iu bashkua edhe vajza e saj 10-vjeçare, Blue Ivy Carter.