Showbiz

Will Smith e goditi komedianin Chris Rock në fytyrë, gjatë ceremonisë Oscar

Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia glamuroze e ndarjes së çmimeve “Oscar”, e cila nuk kaloi pa momente befasuese dhe shokuese.

Ajo që i bëri të gjithë të mbesin të habitur, duke mos e kuptuar nëse ishte një shaka apo ngjarje e vërtetë, ishte momenti kur aktori i nominuar për çmimin akademik, Will Smith, eci dalëngadalë drejt skenës dhe e goditi me shuplakë në fytyrë, komedianin e famshëm Chris Rock. Më pas ai u kthye në ulësen e tij dhe vazhdoi të bërtiste me zë të lartë duke i thënë komedianit që të mos flasë më kurrë për gruan e tij, raportoi të hënën portali “Variety”.

E gjitha ndodhi kur në përpjekje për të bërë humor, Chris Rick, iu drejtua aktores Jada Pinket Smith duke i thënë se mezi pret ta shoh të luajë në filmin “G.I. Jane 2”, me ç’rast iu referua kokës së saj të rruar. Smith ka folur disa herë publikisht rreth faktit se vuan nga rënia e flokëve si pasojë e sëmundjes të quajtur Alopecia.

Kjo ngjarje e cila nuk kishte ndodhur më parë në një organizim të përmasave të tilla si kjo, natyrisht se bëri që të pranishmit por edhe publiku që po e ndiqte ceremoninë nga shtëpia, të mbesin të habitur duke mos ditur se si të reagojnë ndaj asaj që ndodhi.

Megjithëkëtë, mbrëmja vazhdoi tutje pa incidente tjera, Chris Rock ia ndau çmimin “Dokumentari më i mirë” muzikantit QuestLove, për filmin “Summer of Soul” dhe më vonë Will Smith doli në skenë për ta pranuar shpërblimin më të rendësishëm të karrierës së tij, atë “Aktori më i mirë”, për portretizimin e babait të tenisteve, Serena dhe Venus Williams, në filmin “King Richard”. Smith, i përlotur, gjatë fjalimit të tij u kërkoi falje organizatorëve të ceremonisë “Oscar” dhe të gjithë kolegëve të tij të nominuar gjatë mbrëmjes.