Showbiz

Lansohet videoprojekti i ri i grupit “Coldplay”

Rok grupi i njohur britanik, “Coldplay”, e ka publikuar videoklipin e këngës së re me titull, “People of the Pride”, e cili ngjason me në një kolonë zanore të filmave me superheronj “Marvel”.

Por në fakt, videoklipi i lansuar të martën vjen mjaft i veçantë, me ç’rast portretizohet një botë ku e keqja mbretëron. Ai vjen i realizuar nga regjisori, Paul Dugdale, dhe kombinon pamje neoni të një bote post-apokaliptike të drejtuar nga robotë, me pamjet bardh e zi të grupit duke performuar drejtpërdrejt në koncertin e vitit 2021, në arenën “Climate Pladge Arena” në Seattle.

Besohet se pikërisht këtë stil të performamncave do të mund ta presin adhuruesit në koncertet e ardhshme që organizohen në kuadër të turneut botëror të grupit, “Music of the Spheres”, i cili fillon pas tri ditësh në Costa Rica.

“People of the Pride” është njëra prej këngëve të shumta që janë pjesë e albumit të fundit të bendit “Coldplay”. Me titull “Music of the Spheres”, albumi u publikua në tetor të vitit të kaluar dhe menjëherë arriti të pozicionohet në vendin e katërt të toplistës “Billboard 200”.

Grupi i cili e gëzon një bazë të madhe adhuruesish anembanë botës, arriti që për herë të dytë të pozicionohet në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira me hitin, “My Universe”, të cilin e sollën në bashkëpunim me një prej grupeve më të pëlqyera të muzikës K-Pop, “BTS”.

“Coldplay” nuk janë grupi i parë që po e ndjek trendin e realizimit të videoklipeve të animuara. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Kanye West me projektin e fundit muzikor “Hurricane”, Dua Lipa me “Hallucinate”, Billie Eilish me “My Future”, Elton John dhe Dua Lipa me “Cold Heart” dhe të tjetë.