Showbiz

Rihanna i dhuroi 15 milionë dollarë për barazi klimatike

Foto: AP/Associated Press

Fondacioni i këngëtares Rihanna i ka dhuruar 15 milionë dollarë për drejtësi klimatike.

Përmes fondacionit të saj “Clara Lionel Foundation”, ylli 33-vjeçar i muzikës i ka ndarë të hollat mes 18 organizatave që punojnë për barazi klimatike, përfshirë këtu “Climate Justice Alliance” dhe “Movement for Black Lives”.

“Fatkeqësitë klimatike, të cilat po rriten në frekuencë dhe intensitet, nuk prekin të gjitha komunitetet në mënyrë të barabartë, pasi komunitetet me ngjyrë dhe kombet ishullore përballen me peshën kryesore të ndryshimit të klimës. Në këtë frymë, ne jemi krenarë që po i dhurojmë 15 milionë dollarë për 18 organizata që punojnë për barazi klimatike në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Karaibet, në partneritet me lëvizjen #StartSmall, nisma filantropike e Jack Dorsey. Këto grante mbështesin entitete të përqendruara dhe të udhëhequra nga gratë, të rinjtë, afrikano amerikanët, indigjenët, njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet LGBTQIA+. Ftojmë të tjerët të bashkohen me ne në ngritjen, financimin dhe mbështetjen e këtyre grupeve dhe të tjerëve që janë në vijën e parë të lëvizjes për drejtësi klimatike”, shkruhej në një deklaratë për media.

Rihanna e krijoi fondacionin e saj në vitin 2012. Vitin e kaluar ajo u emërua heroinë kombëtare e Barbadosit, me rastin e bërjes së shtetit republikë.

Pop ylli i njohur i muzikës që ishte shpallur ambasadore zyrtare për kulturë dhe rini në vitin 2018, u lavdërua nga kryeministrja e vendit, Mia Mottley, për punën e madhe dhe të mrekullueshme që e ka bërë ndër vite për vendlindjen e saj. Madje në një moment, duke iu referua tekstin të hitit të Rihannas, ajo tha: “Uroj të vazhdosh të shndërrimesh si diamant”.

Tutje, Mottley theksoi se këngëtarja dhe afaristja e suksesshme, e fitoi respektin anembanë botës përmes kërkimit të përsosmërisë me krijimtarinë e saj, disiplinën e mrekullueshme në punë dhe mbi të gjitha, angazhimin e jashtëzakonshëm në vendin ku ka lindur.