Me albumin e ri të shpërblyer me çmim “Latin Grammy”, këngëtarja e njohur amerikane Christina Aguilera nuk i është kthyer stilit të muzikës sikur para 22 vjetëve.
Me incizimin e ri me muzikë spanjolle të titulluar, “La Fuerza”, superylli i muzikës vjen plot forcë si një nënë dhe grua e pjekur, për ta promovuar prejardhjen e saj latine. Dhe ky është vetëm fillimi për këngëtaren shumë të talentuar dhe të dashur nga publiku.
“La Fuerza”, është albumi i parë me muzikë latine i këngëtares i lansuar në më shumë se një dekadë, dhe i përmban gjashtë këngë origjinale të gjitha të bashkëshkruara nga Aguilera. Në të përfshihen edhe hitet, “Pa’ Mis Muchachas”, e sjell në bashkëpunim me këngëtaret Becky G, Nicki Nicole dhe Nathy Peluso, “Somos Nada” dhe “Santo”, e cila vjen në bashkëpunim me yllin latin, Ozuna.
“Ky është një projekt që ka kohë të gjatë që doja ta realizoja, por të jem e sinqertë, dëshiroja vërtetë ta prisja momentin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Kur gjithçka ngadalësoi këto vjetët e fundit me rastin e pandemisë, më në fund e pata rastin të pushoja pak nga puna dhe t’iu rikthehesha prioriteteve dhe gjërave që kam dashur t’i realizojë me kohë”, deklaroi Aguilera në një intervistë të fundit në Los Angeles.
Në albumin e ri të incizuar në studio, Christina eksperimenton me ritme të ndryshme që variojnë nga reggaetoni, muzika urbane latine, baladat dhe zhanri kuban i njohur si “guaracha”.
“Po, dua të them, unë nuk jam artiste njëdimensionale. Gjithmonë më ka pëlqyer të eksploroj zhanre të ndryshme me këngët në gjuhën angleze, prandaj nuk doja ta limitoja veten as në muzikën latine. Thjeshtë ndihem e inspiruar nga shumë gjëra të ndryshme”, tha tutje këngëtarja.
Në vitin 2020, gjatë periudhës së vetizolimit si pasojë e pandemisë, nëna e dy fëmijëve u zhvendos në Miami së bashku me familjen e saj. për të punuar një muaj rresht në studio me muzikantët tjerë në finalizimin e këtij projekti, të cilin Aguilera duket se e ka shumë për zemër.
“Unë jam rritur në një familje që fliste spanjisht nga ana e babait tim i cili ishte nga Ecuadori, dhe për një kohë ne jetuam me gjyshërit e mi. Edhe nëna ime e fliste mirë gjuhën spanjolle të cilën e kemi dëgjuar dhe folur vazhdimisht nëpër shtëpi. Por siç ndodhë me shumë njerëz, kur prindërit shkurorëzohen t’i fillon ta harrosh gjuhën e dytë dhe me kalimin e kohës, të pushtojnë pasiguritë për ta folur dhe përforcuar atë. Partneri im nuk flet spanjisht dhe fëmijët e mi nuk janë rritur duke e dëgjuar këtë gjuhë, siç isha rritur unë, prandaj edhe nuk e njohin atë. Por, mendoj se është një eksperiencë e bukur t’ua ofrojë këtë gjuhë përmes muzikës sime, për ta ndier këtë kulturë dhe për ta kuptuar se është pjesë e tyre, e prejardhjes së nënës së tyre. Pra në njëfarë mënyrë, përmes këtij albumi po e ndajë një pjesë të fëmijërisë sime me fëmijët e mi”.
Me realizimin e albumit “La Fuerza”, këngëtarja tha se ka rënë në dashuri me muzikën nga fillimi.
Adhuruesit spanjisht folës të Christina Aguileras, mund të presin edhe shumë projekte të reja nga ajo gjatë këtij viti. “La Fuerza” është pjesa e parë e trilogjisë së albumeve të cilat ylli i hitit, “Genie In A Bottle”, planifikon t’i lansojë në vitin 2022.
Përktheu: Edona Binaku