Showbiz

Dua Lipa i ka shtyrë disa prej koncerteve të planifikuara në Kanada

Ylli i njohur i muzikës, Dua Lipa, i ka shtyrë datat e disa koncerteve të planifikuara në Kanada. Lajmin e bëri të ditur vet këngëtarja të hënë, me postimin e një mesazhi në rrjetet sociale.

“Të dashurit e mi, më vjen shumë keq që u kam shkaktuar bezdi por koncertet e mia të planifikuara të mbahen në Montreal dhe Toronto janë shtyrë për datat 25-27 korrik. Të gjitha biletat e blera tashmë do të jenë të vlefshme për datat e reja. Më vjen shumë keq që na duhet të presim dhe pak më shumë për të kënduar e vallëzuar me njëri-tjetrin live, por mezi pres t’iu takoj të gjithëve në skenë”, kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e postuar në Twitter.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore nuk dha shpjegim rreth asaj se pse po shtyhen këto dy koncerte, të cilat ishte planifikuar të mbaheshin më 22 dhe 23 shkurt si pjesë e turneut të shumëpritur të Lipës, “Future Nostalgia Tour”. Megjithëkëtë, fansat do të kenë mjaftueshëm kohë ta rregulluar orarin e tyre në mënyrë që të kenë mundësi t’i ndjekin performancat e yllit të muzikës pop, e cila në turne shoqërohet edhe nga këngëtaret Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï.

Por, pavarësisht ndryshimeve të datave apo vonesave që mund të ndodhin, turneu i ardhshëm i Dua Lipës i cili fillon më 9 shkurt në Miami, do të shërbejë si një festë e fitores për yllin e popit pasi hiti i saj “Levitating”, e përfundoi vitin 2021 si kënga më e transmetuar në SHBA dhe gjithashtu mbretëroi në krye të listës së 100 këngëve më të mira “Billboard”.

Kur jemi tek sukseset muzikore të Lipës, bashkëpunimi i saj i fundit me ikonën britanike Elton John, “Cold Heart”, në fillim të muajit janar arriti të pozicionohet në vendin e 7 në toplistën “Hot 100”. Kështu, ylli i hitit “Rocket Man” e gëzoi suksesin e parë në top dhjetëshe të kësaj liste në 25 vjetët e fundit.

Ndërkohë, Dua Lipa, e cila nga “Billboard” u rendit në pozitën e 9-të të listës “Pop yjet më të mirë të vitit 2021”, po ashtu është e zënë me përgatitjet e lansimit të buletinit javor të titulluar “Service95”, i cili do t’iu ofrojë fansave një listë të kuruar rekomandimesh, tregimesh dhe informacionesh të tjera nga bota e këngëtares. Mendohet se Dua e ka emëruar këtë buletin sipas vitit të saj të lindjes, 1995.

Së fundmi po ashtu i bë i ditur lajmi se megaylli i muzikës po e konsideron mundësinë për ta lansuar një film koncertal i cili sjell pamje dhe atmosferë nga prapaskenat e turneut të ardhshëm.

Dua përndryshe para pak javësh i ka dhënë fund lidhjes së saj dyvjeçare me modelin amerikan, Anwar Hadid, i cili është vëllai i motrave të famshme, Gigi e Bella Hadid. Raportohet se shkak për ndarjen e çiftit, është bërë distanca fizike dhe pamundësia për të qenë afër njëri-tjetrit për periudha të gjata kohore.