Showbiz

Shtyhet sërish lansimi i filmit “Mission: Impossible 7”

Descriptive Text

Lansimi i filmit “Mission: Impossible 7” është shtyrë sërish për shkak të situatës së vazhdueshme me pandeminë.

Në shtator të vitit të kaluar, vazhdimi i shtatë në serinë e filmave aksion të yllit të kinematografisë, Tom Cruise, u shty për katër muaj pasi pritej të lansohej më 30 shtator 2022.

Por, tani studiot filmike “Paramount Pictures” dhe “Skydance” kanë lajmëruar se filmi i shumëpritur nga fansat, do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 14 korriku i vitit 2023, kjo pasi COVID-19 vazhdon të ketë ndikim në industrinë e filmit dhe po i vonon xhirimet e këtij projekti që kanë zënë vend kryesisht në Britani të Madhe.

Vazhdim i tetë “Mission: Impossible” që po xhirohet në të njëjtën kohë me filmin e shtatë, nuk do të lansohet deri në korrik të vitit 2024, pra një vit më vonë se që ishte planifikuar.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ‘Paramount Pictures’ dhe ‘Skydance’ kanë vendosur t’i shtyjnë datat e publikimit për filmat ‘Mission: Impossible 7 & 8’ si pasojë e vonesave të shkaktuara nga pandemia. Mezi presim t’iu ofrojmë shikuesve të filmave një përvojë të pashembullt nëpër kinema”, shkruhej në deklaratën e përbashkët për media të lëshuar nga studiot filmike prapa këtij projekti.

Vitin e kaluar, Cruise shpjegoi se si e ka menaxhuar sheshin e xhirimeve të filmit gjatë pandemisë. Aktori i cili vjen në rolin e producentit të projektit si dhe luan në të, për revistën “Empire” i tregoi protokollet e sigurisë që i kishte vënë në funksion.

“Gjatë karrierës sime i kam prodhuar rreth 40 filma. Unë jam përgjegjës për punën e dhjetëra mijëra personave. Të gjithë miqtë e mi në industrinë e filmit, njerëz që merren me distribuim dhe pjesëtarë të ekipit tim më thoshin, “Çfarë do të bëjmë? Mund ta humbi shtëpinë nëse nuk punoj?’. Dhe unë ju thash atyre dhe studios filmike se do të ktheheshim në punë. Do t’i fillonim xhirimet në verë dhe disi do ta gjenim mënyrën për ta kryer punën më mënyrë të sigurt”, ka deklaruar Cruise.

Në “Mission: Impossible 7” luajnë aktorët, Tom Cruise, Rebecca Ferguson, Nicholas Hoult, Hayley Atwell dhe të tjerë, ndërsa regjinë e këtij vazhdimi po e bënë Christopher McQuarrie.

Filmat e mbushur me skena aksion ku rolin e agjentit Ethan Hunt, e portretizon aktori i famshëm, Cruise, konsiderohen ndër më të suksesshmit në Hollywood. Vazhdimi i kaluar i lansuar në vitin 2018, “Mission: Impossible-Fallout”, i kishte arkëtuar më shumë se 791 milionë dollarë në arkat filmike botërore.