Personazhi i aktores Isla Fisher në serialin e ri, i cili i përzien disa zhanre, “Wolf Like Me”, është një grua paksa romantike. Ajo i flet katër gjuhë, është e zonja në kuzhinë dhe i bën njerëzit për vete si me magji. Por, në anën tjetër, ajo di të jetë shumë e largët dhe jashtëzakonisht shtazarake. Gjithashtu, ajo e ka një sekret të madh personal.
Kurse personazhi i aktorit Josh Gad është një burrë shumë i kuptueshëm. Edhe ai është paksa i çrregullt dhe në rrëmujë nga ana emocionale që nga vdekja e gruas së tij, teksa përpiqet më kot të lidhet me vajzën e tij tinejxhere.
Kjo është tema që trajtohet në serialin e ri të platformës “Peacock” që përbëhet nga gjashtë episode dhe përzien komedinë e dramën për të rritur dhe traumën zemërthyese. Është një histori e dy njerëzve të plagosur emocionalisht të cilët mësojnë ta hapin zemrën sërish.
Aktorja Isla Fisher tha se dy kryepersonazhet lidhen nga bagazhi i tyre personal dhe gjithashtu nga ndjenjat e fajit dhe turpit.
“Unë mendoj se ata mbajnë një ngarkesë të madhe dhe duke mos dashur të zbuloj shumë për personazhin tim, mund të them se që të dy mbajnë shumë faj dhe turp brenda vetes, duke mos e pranuar veten për zgjedhjet që mund t’i kenë bërë ose rrethanat që mund t’u kenë ndodhur atyre. Dhe falë një lloj përplasjeje metaforike me njëri-tjetrin dhe duke pasur mbështetjen e universit, ata përfundojnë duke rënë në dashuri. Më në fund, që të dy janë në gjendje ta kenë një lidhje emocionale që kapërcen të gjitha pengesat sipërfaqësore ose të jashtme që i kanë penguar tash e ca kohë” deklaroi aktorja.