Janë publikuar pamjet e para të filmit të ardhshëm të regjisorit Steven Soderbergh, “KIMI”.
Në projektin që i takon zhanrit triler, rolin protagonist e luan aktorja Zoë Kravitz e cila e portretizon një punëtore agorafobike të teknologjisë nga Seattle, e cila gjatë punës së saj zbulon prova të një krimi të dhunshëm. Por, ajo përfundon duke u përballur me rezistencë kur përpiqet t’i raportojë këto prova në kompaninë për të cilën punon.
Filmi vjen me regji të Steven Soderberghut i cili shquhet për projekte të shumta filmike, përfshirë këtu edhe filmat, “Ocean’s Eleven”, “Ocean’s Twelve” dhe “Ocean’s Thirteen”. Kurse në projektin e vitit 2018, “Ocean’s Eight”, i cili në rolet e hajduteve të talentuara i sjell aktoret Sandra Bullock, Cate Blanchett, Mindy Kaling, Sarah Paulson, Helena Bonham Carter, Akwafina dhe Rihanna, Soderberghu shërbeu si producent.
Në filmin e ardhshëm krahas Kravitzit luajnë edhe aktorët: Byron Bowers, Jaime Camil, Erika Christensen, Derek DelGaudio, Robin Givens, Charles Halford dhe Rita Wilson.
“KIMI” planifikohet të filloj së shfaquri në platformën HBO Max më 10 shkurt 2022.