Showbiz

“Spider-Man: No Way Home” thyen rekorde në arkat filmike

 

“Spider-Man: No Way Home” debutoi me sukses të jashtëzakonshëm në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke u pozicionuar në vendin e parë të listës falë 260 milionë dollarëve të fituara. Njëkohësisht, filmi e ka shënuar hapjen e dytë më të mirë në histori dhe renditet pas kampionit tjetër nga Universi Kinematik Marvel, “Avengers: End Game”. Rekord të hapjes ka arritur edhe në arkat filmike botërore, duke debutuar me arkëtimin e më shumw se 600 milionë dollarëve, pa e llogaritur këtu tregun kinez. “Spider-Man: No Way Home” që është bashkëprodhim i studiove “Columbia Pictures” dhe “Marvel”, është vazhdim i projekteve hit në arkave filmike, “Spider-Man: Homecoming” dhe “Spider-Man: Far From Home”. Ai e rrëfen historinë e të riut Peter Parker i portretizuar në film nga Tom Holland, i cili i kërkon superheroit Dr. Strange që ta ndihmojë ta fshehë identitetin e Spider-Manit nga publiku i gjerë. Krahas Hollandit në këtë vazhdim të tretë të realizuar nga regjisori, Jon Watts, luajnë edhe yjet: Zendaya, Benedict Cumberbatch, Jacob Batalon, Jon Favreau, Marisa Tomei, J. B. Smoove, Benedict Wong, Alfred Molina dhe Jamie Foxx.