Ylli i kinematografisë, Penelope Cruz, nuk i lejon fëmijët e saj të kenë rrjete sociale deri në moshën 16-vjeçare.
Aktorja 47-vjeçare e cila i ka fëmijët, Leo dhe Luna, me bashkëshortin Javier Bardem, mendon se mbajtja e tyre larg rrjeteve sociale si Instagrami apo Twitteri, për sa më shumë kohë që është e mundur, ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të tyre mendor. Po ashtu tregoi se fëmijëve të saj nuk u lejohet të kenë telefona mobil personal deri sa të rriten.
“Unë tregohem shumë e rreptë me fëmijët e mi kur bëhet fjalë për teknologjinë. Natyrisht, nganjëherë ua lejojë ta shikojnë ndonjë film apo film të animuar. Si mund t’ua ndalosh këtë? Sepse mbaj mend që si vajzë e vogël, disa prej momenteve më të lumtura kanë qenë kur kam shikuar filma. Por, nuk i lejojë të posedojnë telefona mobil apo rrjete sociale deri sa të mbushin të paktën 16 vjet. Unë me të vërtetë e shoh këtë si veprim që ua mbron shëndetin mendor, por duket se jam pjesë e një pakice që e ndanë të njëjtin mendim. Nuk e di”, tha aktorja spanjolle në intervistën e saj të fundit për emisionin e kanalit CBS, “Sunday Morning”.
Penelope brengoset rreth ndikimit që rrjetet sociale e kanë pasur tek tinejxherët e kohëve moderne, dhe beson që fëmijëria sot është shumë më ndryshe nga koha kur ajo është rritur.
“Unë kam një marrëdhënie të çuditshme me rrjetet sociale ku i përdor shumë pak dhe me shumë kujdes. Ka diçka që nuk ka kuptim tek ky trend dhe po i prek veçanërisht brezat e rinj. Ndihem shumë keq për ata që janë adoleshentë tani. Është pothuajse sikur bota po bën një lloj eksperimenti mbi ta, duke i ekspozuar qysh në moshë të re ndaj teknologjisë dhe atë në masë të madhe. Në çfarëdo forme të rrjeteve sociale ka mungesë të madhe të mbrojtjes së fëmijëve dhe trurit të tyre që është ende në zhvillim e sipër. Ato kanë ndikim të gabuar në mënyrën se si ata e shohin veten dhe janë tejet të ekspozuar ndaj bulizmit online. Në fëmijërinë tonë, ne nuk jemi përballur me gjëra të tilla që janë goxha të rrezikshme dhe të dëmshme njëkohësisht”.
Aktorja e shpërblyer me “Oscar” e luan rolin protagonist në filmin e fundit të regjisorit Pedro Almodóvar, “Parallel Mothers”, i cili e rrëfen historinë e dy grave që takohen në një dhomë spitali ku të dyja do të lindin, dhe përfundojnë duke e krijuar një shoqëri jo të zakonshme.
Cruzi është shfaqur në shtatë nga filmat e Almodovarit, përfshirë këtu hitet “All About My Mother” dhe “Volver”. Projekti i tyre i fundit, “Madres Paralelas”, lansohet nëpër kinema nga 24 dhjetori.