Këngëtarja dhe rep artistja amerikane, Doja Cat, e ka bërë të ditur lajmin se më nuk do të performojë në koncertet e caktuara si pjesë e turneut “iHeartRadio’s Jingle Ball” nëpër Amerikën Veriore, kjo për shkak se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Përfshirja e Dojas në koncertet tradicionale për festat e fundvitit u vë në dyshim qysh javën e kaluar, kur përmes një postimi në Twitter ajo i informoi fansat që disa pjesëtarë të ekipit të saj, ishin infektuar me koronavirus dhe u detyruan të karantinohen menjëherë. Si masë paraprake, gjatë fundjavës, këngëtarja tha se po tërhiqej nga koncertet e planifikuara në New York dhe Boston.
Sidoqoftë, një ditë më vonë, ajo përsëri i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta zbuluar lajmin se edhe ajo ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe është e detyruar t’i anulojë edhe performancat e tjera, ku përfshiheshin koncertet në Philadelphia, Washington DC, Atlanta dhe Miami.
“Derisa shpirti më është thyer për faktin se nuk do të mund të jem atje për të festuar me fansat e mi në Philadelphia, Washington DC, Atlanta dhe Miami, ju informoj se jam mirë me shëndet dhe mezi po pres të shërohem plotësisht, dhe t’iu kthehem performancave sa më shpejtë që është e mundur”, ka deklaruar reperja.
Doja Cat tashmë ka interpretuar në tri koncerte të Krishtlindjeve para se të diagnostikohej me koronavirus, në Dallas, Los Angeles dhe Chicago. Në mesin e yjeve që performuan krahas saj ishin edhe: Lil Nas X, The Kid LAROI, grupi “BTS” dhe bashkëpunëtorja e saj e hitit “Best Friend”, Saweetie.
Koncertet në New York dhe Boston vazhduan sipas planit, duke sjell në skenë performanca të artistëve të mëdhenj, si Ed Sheeran dhe grupi “Jonas Brothers”.
Kjo është hera e dytë që Doja del pozitiv me COVID-19. Për herë të parë ishte prekur nga virusi vdekjeprurës në korrik të vitit 2020. Këngëtarja ishte ndër personat e famshëm që në fillim të përhapjes së koronavirusit anembanë botës, kishte bërë shaka dhe deklaroi se nuk frikësohet nga ky “virus i shpikur”.
Edhe Dua Lipa është njëra prej këngëtareve të famshme të cilat publiku mezi po priste t’i shihte duke performuar në kuadër të koncerteve, “iHeartRadio’s Jingle Ball”, por për shkaqe shëndetësore edhe këngëtarja me prejardhje kosovare u detyrua ta anulojë pjesëmarrjen.
“Siç e dini shumica prej juve, së fundmi jam diagnostikuar me laringjit dhe sipas këshillave të mjekut jam duke i pushuar telat e zërit. Po shpresoja të shërohesha më shpejtë, por fatkeqësisht, ende vazhdoj të ndihem keq dhe nuk kam mundësi të performojë në koncertet ‘iHeartRadio Jingle Ball’. Jam shumë e zhgënjyer me veten sepse mezi po prisja ta fillonim sezonin e festave të fundvitit së bashku”, kishte shkruar Lipa në llogarinë e saj në Instagram.
Kohëve të fundit Lipa është parë shumë rrallë në publik me të dashurin e saj, Anwar Hadid, dhe dyshja ka kohë që nuk postojnë fotografi së bashku në rrjetet sociale. Kjo ka bërë që mediat e huaja të spekulojnë për një ndarje të mundshme të çiftit pas dy vjetësh lidhjeje. Dua dhe Anwari ende nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.