Showbiz

Jimmy Fallon, Megan Thee Stallion dhe Ariana Grande me këngë Krishtlindjesh

Ylli televiziv, Jimmy Fallon, e ka angazhuar pop-këngëtaren Ariana Grande dhe reperen Megan Thee Stallion, për realizimin e një kënge argëtuese të Krishtlindjeve në kohën e COVID-19.

Me titull “It Was A… (Masked Christmas)”, kënga vjen e inspiruar në këngët klasike të dekadave të kaluara, përmban tinguj të muzikës së viteve ’80 dhe vjen e shoqëruar me një videoklip të bukur dhe qesharak.

Prezantuesi i njohur amerikan, Jimmy Fallon, e interpreton refrenin e këngës i shoqëruar edhe nga zëri i ëmbël i Ariana Grandes, derisa Megan Thee Stallion përkujdeset për repturën.

Videoprojekti “It Was A… (Masked Christmas)” debutoi sot në llogarinë e emisionit “The Tonigh Show Starring Jimmy Fallon” në YouTube, dhe është mirëpritur me humor dhe vlerësime pozitive nga publiku mbarë botëror.

Në lajme të tjera, javën e kaluar rep artistja Megan Thee Stallion e paralajmëroi anulimin e koncertit të saj në Houston, në shenjë respekti për të gjithë personat e prekur nga tragjedia e muajit të kaluar në festivalin “Astroworld”. Në vendlindjen e saj, ajo planifikohej të performojë në sallën koncertale, “713 Music Hall”, të premten më 3 dhjetor si pjesë e turneut të saj në SHBA.

Ndërkohë, Grande së fundmi u angazhua për ta portretizuar shtrigën e mirë, Glinda, në mjuzikllin e ardhshëm “Wicked” i cili do të inskenohet në “Broadway”.

Lajmi vjen pas angazhimit të këngëtares edhe në disa projekte filmike, përfshirë edhe kontributin e saj në kolonën zanore të filmit të ri të Netflixit, “Don’t Look Up”. Kënga e saj me titull “Just Look Up” e cila vjen në bashkëpunim me reperin Kid Cudi, u lansua në fillim të javës.

Ariana Grande dhe Kelly Clarkson po ashtu janë bërë bashkë në realizimin e një kënge Krishtlindjesh, “Santa, Can’t You Hear Me”, e cila u lansua në tetor të këtij viti.