Këngëtari i njohur, John Legend, mezi po pret ta fillojë serinë e koncerteve në Las Vegas, pasi thotë që për këtë gjë është inspiruar nga muzikantët e tjerë.
Ylli i hitit “All of Me” e ka bërë të ditur lajmin se do t’i mbajë 24 koncerte në hotelin “Planet Hollywood Resort and Casino”, të cilat i ka titulluar “Love in Las Vegas” dhe mezi pret që këto performanca të fillojnë. Ai madje kishte pasur rastin ta ndjekë një prej koncerteve të yllit Gwen Stefani, e cila muajin e kaluar e përfundoi serinë e performancave “Just A Girl” në të njëjtin lokacion.
“Na pëlqeu shumë shou i saj. Mendova se gjithçka ishte realizuar bukur. Performanca e Gwenit ishte e mahnitshme dhe ajo dukej në formë të mirë. Ishte vërtet frymëzuese ta shikoje atë duke performuar në këtë formë dhe kur e mendoja se edhe unë do të interpretoja në të njëjtën skenë, e bëri gjithë këtë eksperiencë ende më të bukur. Jam shumë i emocionuar që kemi nënshkruar marrëveshje me kompaninë ‘Caesars Entertainment’”, ka deklaruar këngëtari për revistën “Billboard”.
Legend i cili i ka fëmijët, Luna dhe Miles, me bashkëshorten Chrissy Teigen thotë se mezi pret të sjell pak dashuri në qytetin e njohur të dritave.
“Muzika ime ka qenë gjithmonë një festë dashurie. Dhe kjo është ajo që ne duam të bëjmë me këto koncert. Sapo e kemi përfunduar turneun ‘Bigger Love’ dhe tani duam ta sjellim atë dashuri edhe në Las Vegas. Ne do ta festojmë muzikën, do ta festojmë dashurinë, do të festojmë lidhjen që njerëzit ndiejnë kur janë në koncertet e mia dhe si ndihemi ne me ta”.
Ylli i hitit “Ordinary People” po i shfrytëzon këto performanca të cilat fillojnë më 22 prill dhe përfundojë me 29 tetor të vitit të ardhshëm, për ta shënuar 15-vjetorin e lansimit të albumit të tij të suksesshëm, “Once Again” por edhe hitet e tij të kaluara. Ndërsa në koncertet e Las Vegasit do të interpretojë edhe muzikë të re.