Showbiz

Jay-Z bëhet artisti më i nominuar për “Grammy” në histori

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i muzikës, Jay-Z, është bërë artisti më i nominuar për çmim “Grammy” i të gjitha kohërave, kjo pasi i pranoi edhe tri nominime ekstra për ceremoninë e vitit 2022.

Reperi i famshëm amerikan i ka fituar gjithsej 83 nominime në emër të tij, duke e mundur kampionin e kaluar me më së shumti nominime, Quincy Jones, i cili i ka 80 sosh. Jay-Z ka arritur që gjatë karrierës t’i fitojë gjithsej 23 çmime, “Grammy”.

Për ceremoninë e vitit të ardhshëm, reperi është nominuar për bashkëpunimet me Kanye Westin dhe DMX-in.

Në të kaluarën, Paul McCartney, u barazua me gruan e reperit, Beyonce, në vendin si artisti më i nominuar për “Grammy”, por tani e kryeson lirshëm këtë pozitë pasi arriti t’i marrë edhe dy nominime ekstra në kategorinë e muzikës rok. Tani anëtari i grupit legjendar “The Betales” i gëzon gjithsej 81 nominime në emër të tij.

Sipas revistës “Variety”, ikona e muzikës rep, Jay-Z, i pranoi nominimet e para “Grammy” në vitin 1999, dy prej së cilave ishin për albumin e tij klasik, “Vol. 2…Hard Knock Life”, dhe një për bashkëpunimin me Jermaine Duprin, “Money Ain’t AThang”.

Edhe pse Jay-Z kishte triumfuar në atë ceremoni, ai i bojkotoi këto shpërblime duke treguar më vonë se kishte vepruar kështu ngaqë DMX nuk ishte nderuar nga organizatorët, pavarësisht se brenda një viti i kishte realizuar dy albume të pozicionuara në vendin e parë të toplistave muzikore.

Sa i takon ceremonisë së ardhshme “Grammy”, duke nominuar me më së shumti nominime janë artistët: Billie Eilish, Doja Cat, Justin Bieber, Olivia Rodrigo, J. Cole dhe Jon Batiste.

Ngjarja më e rëndësishme e muzikës në botë, “Grammy Awards 2022”, mbahet më 31 janar në Los Angeles dhe transmetohet live në kanalin CBS.