Showbiz

“MTV EMA 2021”: Rita Ora prezantoi çmim ndërsa Gjon’s Tears triumfoi gjatë mbrëmjes

Pop grupi i famshëm korean “BTS” dhe kantautori britanik, Ed Sheeran, ishin ndër fituesit më të mëdhenj të mbrëmjes, në edicionin e fundit të ceremonisë “MTV European Music Awards” e cila u mbajt të dielën mbrëma.

“BTS” u shpërblyen me më së shumti çmime përfshirë këtu, “Artistët më të mirë Pop”, “Grupi më i mirë”, “Artistët më të mirë të muzikës K-Pop” dhe “Grupi me më së shumti adhurues”, por shtatë anëtarët e bendit nuk qenë të pranishëm në ceremoni për t’i pranuar këto shpërblime. Kurse, Ed Sheeran i cili qe i pranishëm në ngjarje u nderua në kategoritë, “Artisti më i mirë” dhe “Kënga më e mirë” për hitin e tij të fundit “Bad Habits”.

Rok grupi italian i njohur si triumfuesi i sivjetmë i festivalit evropian të këngës, “Eurovizion”, të dielën u nderua me çmim “MTV EMA” në kategorinë “Grupi më i mirë rok”. Pas falënderimeve të zakonshme në fjalimin e tyre, vokalisti i grupit Damiano David para të pranishmëve tha” “Ne po ashtu duam të themi se, njerëzit zakonisht na kanë thënë se nuk do t’ia dalim me muzikën tonë, epo, besoj se e kanë pasur gabim”.

Prezantuesja e shout dhe performuesja e mbrëmjes, Saweetie, po ashtu arriti të nderohet me çmimin “Artistja më e mirë e re”, rep-artistja Nicki Minaj triumfoi në kategorinë “Best Hip-Hop” dhe Olivia Rodrigo u shpall fituese e shpërblimit “Best Push”. Këngëtari i njohur kolumbian, Maluma, i cili e fitoi çmimin “Artisti më i mirë latin”, me ta pranuar atë në skenë tha: “Kolumbia nuk identifikohet më me Pablo Escobarin, por me Maluman”.

Mbrëmja e diel ishte me të vërtetë një organizim për t’u mbajtur në mend, me një numër të konsiderueshëm të artistëve të pranishëm, përfshirë këtu edhe bukuroshen me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora. Ajo parakaloi mbi qilimin e kuq e shoqëruar nga i dashuri i saj regjisor, Taika Ëaititi, dhe padyshim ishin çifti më i përfour i mbrëmjes. Këngëtarja dhe aktorja shkëlqente e veshur me pantallona dhe korset të zi, i cili karakterizohej me një bisht të gjatë me pupla të zeza, derisa dukjen e kishte kompletuar me model flokësh dhe grim të përkryer.

Një tjetër pjesë karakteristike e ceremonisë “MTV EMA” ishin performancat e yjeve në skenë. Ndër artistët të cilët u kujdesën për atmosferën e mbrëmjes ishin: Ed Sheeran, Maluma, Yungblud, Kim Petras, “OneRepublic”, “Imagine Dragons”, “Måneskin”, Griff dhe Girl in Red.

Ylli i njohur i muzikës pop, Justin Bieber, ishte nominuar në tetë kategori të mbrëmjes por nuk arriti ta fitojë asnjë çmim. Në kategorinë “Videoklipi më i mirë” triumfoi Lil Nas X me hitin “Montero (Call Me By Your Name)”, çmimi “Bashkëpunimi më i mirë” shkoi për dyshen, Doja Cat dhe SZA dhe këngën e tyre “Kiss Me More”, Taylor Swift u nderua me çmimin “Best U.S. Act” ndërsa shqiptari i vetëm i nderuar gjatë mbrëmjes ishte Gjon’s Tears’ i cili e rrëmbeu çmimin “Best Swiss Act” të cilin në të kaluarën e kishte fituar reperja, Loredana.