Showbiz

Billie Eilish bën thirrje për veprim urgjent mbi ndryshimet klimatike

Foto: AP/Associated Press

Ylli amerikan i muzikës pop, Billie Eilish, ka bërë thirrje për “veprim urgjent” mbi ndryshimet klimatike, pak para mbajtjes së “COP26”, konferenca e ardhshme e Kombeve të Bashkuara mbi këtë temë, që mbahet në Glasgow.

Kjo konferencë do të zhvillohet midis 31 tetorit dhe 12 nëntorit të këtij viti, dhe synon t’i bashkojë palët për të përshpejtuar veprimet drejt qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe Konventës të OKB-së për ndryshimet klimatike.

Këngëtarja Billie Eilish, aktori Rainn Wilson, eksploruesi Levison Wood dhe personalitete të tjera, janë bërë bashkë me disa shkencëtarë si pjesë e fushatës “University of Exeter’s GreenFutures”, për ta xhiruar një video-mesazh drejtuar liderëve botërorë.

Eilish ka kohë që bënë thirrje për nevojën për veprim rreth emergjencës klimatike botërore. Muajin e kaluar, ajo ishte një nga artistet e shumta që i bëri thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për forcim e politikave për ndryshimet klimatike.