Showbiz

Megan Thee Stallion do të diplomojë së shpejti

Foto: AP/Associated Press

Ylli amerikan i muzikës rep, Megan Thee Stallion, së shpejti do ta përfundojë kolegjin.

26-vjeçarja e njohur e skenës muzikore e ka shfrytëzuar Instagramin e saj për ta zbuluar lajmin se është gati për të diplomuar në Universitetin e Teksasit, në fushën e administrimit shëndetësor.

Krahas një fotografie ku shihet me kapelën e të diplomuarve në dorë, Megan kishte shkruar: “2021, më në fund jam gati për ta përfunduar kolegjin. Po i realizoj fotografitë e diplomimit sot. Mezi pres t’i shihni ato”.

Reperja tashmë ka pranuar mesazhe urimi nga miqtë e saj të showbizit, përfshirë këtu ish-anëtaren e grupit “Fifth Harmony”, Normani, e cila në të kaluarën ka bashkëpunuar me Stallionin në realizimin e këngës, “Diamons”.

“Po pra, është pak të them që jam krenare me ty”, kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj.

Përgjatë vjetëve të fundit, Megan ka arritur t’i balancojë me sukses studimet e saj online me karrierën si rep artiste. Dhe ylli i hitit “WAP” e cila shquhet si një prej artisteve më fitimprurëse në botë, në të kaluarën ka diskutuar rreth asaj se pse është kaq e vendosur të diplomohet, pavarësisht famës dhe suksesit që e ka arritur me muzikë.

“Unë dua të marr diplomën sepse dua që nëna ime të jetë krenare. Ajo më pa duke shkuar në shkollë dhe duke iu përkushtuar studimeve, para se të vdiste”.

Megan, nëna e së cilës vdiq në mars të vitit 2019 pas betejës së gjatë me kancerin në tru, është e vendosur të shkollohet edhe për nderë të grave tjera në familjen e saj. Reperja e famshme shpjegoi se nëna dhe gjyshja e saj e kishin ndihmuar të shndërrohet në gruan që është sot, dhe dëshiron që edhe ajo t’i inspirojë dhe të jetë një shembull për gjeneratat e reja.