Showbiz

001-shi i “Squid Game” i befasuar me famën, i del në ndihmë e bija

Aktori Oh Young Soo është duke u ndier sikur po fluturon në ajër, pas suksesit të jashtëzakonshëm të serisë “Squid Game”.

Aktori 77-vjeçar, që portretizon lojtarin 001 në serinë e “Netflixit”, ka pranuar se mezi po arrin që ta besojë suksesin dhe popullaritetin e projektit koreanojugor.

“Ndihem sikur po fluturoj. Shpesh mendohem, më duhet të qetësohem, të organizoj mendimet dhe të këndellem përsëri’”, ka thënë aktori veteran.

Aq shumë është bërë aq i famshëm saqë i është dashur ndihma e të bijës, sepse nuk kishte asnjë faqe zyrtare për prezantimin e projekteve si aktor.

“Shumë njerëz më kanë kontaktuar dhe për shkak se nuk kisha menaxher ishte e pamundur të përballoja vetë numrin e madh të thirrjeve dhe mesazheve. Kështu, e bija është duke më ndihmuar”, ka thënë aktori.

“Gjërat kanë ndryshuar paksa. Madje edhe kur dal për kafe ose shkoj diku, më duhet të jem i kujdesshëm sesi dukem. “Të jesh i famshëm qenka pak edhe e vështirë”, ka thënë ai.

Aktori ka dhënë një mendim për filozofinë e tij personale në lidhje me garën që shfaqet në seri.

“Shoqëria jonë njeh vetëm vendin e parë dhe nuk i bëhet vonë për diçka tjetër. Sikur të ekzistonin vetëm vendet e para, vendi i dytë do të ishte i pakuptimtë”, ka thënë Young Soo.

“Mirëpo, ani pse vendi i dytë humb ndaj të parit, i dyti gjithashtu mposht të tretin. Pra të gjithë janë fitues. Për këtë shkak mendoj se fituesi i vërtetë është ai që punon shumë në gjërat që i do dhe tenton të arrijë një gjendje brenda vetes. Ky lloj i personit është fitues”, ka thënë aktori.