Showbiz

Blue Ivy sërish rrëmben vëmendjen nga prindërit Beyonce dhe Jay-Z

Vajza e yjeve të njohur të muzikës, Jay-Z dhe Beyonce, e rrëmbeu gjithë vëmendjen në reklamën e re të çiftit për kompaninë “Tiffany & Co.”.

Në reklamën dy minutëshe të titulluar “Date Night”, 9-vjeçarja Blue Ivy shihet duke pretenduar sikur po vrapon pas veturës së prindërve, para se të futet brenda saj për ta shoqëruar babin, mamin dhe qenin e familjes.

E gjithë reklama zë vend brenda një veture klasike ku dyshja e njohur e muzikës shfaqet duke shëtitur nëpër rrugët e Manhattanit, dhe në prapavijë dominon një atmosferë dhe muzikë romantike.

Por, reklamën e bënë edhe më të veçantë Blue Ivy, e cila i ka ngjarë prindërve të saj kur vjen puna tek talenti për artin dhe kulturën. Këtë e ka dëshmuar shpesh nëpër ngjarje të ndryshme ku i ka shoqëruar 40-vjeçaren Beyonce dhe 51-vjeçarin Jay-Z.

Në gusht të këtij viti, Blue dhe motra e vëllai i saj, Rumi dhe Sir, morën pjesë në fushatën reklamuese të koleksionit të ri të markës së krijuar nga nëna e tyre, “Ivy Park Kids”. Ajo po ashtu kishte pozuar krahas së ëmës në një tjetër reklamë që e shënonte bashkëpunimin e markës sportive “Adidas” dhe asaj “Ivy Park”.

Blue e rrëmbeu vëmendjen nga prindërit e saj edhe në vitin 2018 kur në ceremoninë “Grammy”, u kap nga kamerat duke i bërë me shenjë nënës dhe babait që të mos duartrokasin gjatë performancës së Camila Cabellos në skenë. Nga atëherë, vajza e çiftit ikonik të muzikës ka marrë pjesë në videoklipin muzikor të Beyonces, “Black is King”, e ka bërë narracionin e një libri për fëmijë si dhe e ka fituar një shpërblim si tekstshkruese.