Showbiz

Cuba Gooding Jr. do të dalë para gjykatës në shkurt të vitit të ardhshëm

Foto: AP/Associated Press

Ylli i kinematografisë, Cuba Gooding Jr., do të dalë para gjyqit në shkurt të vitit të ardhshëm.

Kështu bëri të ditur një gjyqtarë nga gjykata e New Yorkut, ku ai do të përballet me akuzat për ngacmim seksual. Prokurorët kërkojnë ta portretizojnë aktorin si ofendues i vazhdueshëm ndaj grave, derisa avokatët mbrojtës pretendojnë se rasti është një shembull i abuzimit me lëvizjen # MeToo.

Gjykatësi Curtis Farber e ka caktuar datën 1 shkurt për seancën e radhës dëgjimore në rastin gjyqësor, ku ylli i filmit të shpërblyer me Oscar, “Jerry Maguire”, akuzohet për ngacmimin seksual të tri grave në tri lokacione të ndryshme të Manhattanit. Ngjarjet besohet të ketë ndodhur gjatë viteve 2018 dhe 2019.

Gooding ishte planifikuar të dilte në gjyq në prill të vitit 2020, por seanca ishte anuluar për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus në New York, dhe shteti i pezulloi shumicën e çështjeve gjyqësore.

Aktori ishte arrestuar në qershor të vitit 2019, kjo pasi një grua 29-vjeçare i tha policisë së ai e kishte prekur në vende intime pa lejen e saj, teksa ata po argëtoheshin në një barin e natës “Magic Hour Rooftop Bar & Lounge” që gjendet në sheshin “Times Square”.

Disa muaj më vonë, Cuba u padit edhe për dy incidente tjera të ngjashme, kjo pasi edhe më shumë gra e akuzuan atë për abuzim seksual.

Në përgjithësi, aktori 53-vjeçar përballet me gjashtë akuza për kundërvajtje, që mund ta çojnë atë në burg nëse dënohet.

Gooding vazhdon të deklarohet i pafajshëm dhe i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, për sjellje të pahijshme dhe ngacmim seksual. Avokatët e aktorit kanë argumentuar se prokurorët, të ndikuar nga vala e lëvizjes #MeToo, po përpiqen t’i kthejnë sjelljet e zakonshme të një burri dhe keqkuptimet, në krime të rënda.

Kjo nuk është hera e parë që Cuba Gooding Jr. përballet me ligjin. Në vitin 2013 ai u padit nga një grua në New York, e cila e akuzoi atë për përdhunim.