Showbiz

Timothee Chalamet merr gjithë vëmendjen në premierën e filmit “Dune”

Foto: AP/Associated Press

Yjet e filmit “Dune”, përfshirë këtu aktorët Timothee Chalamet, Zendaya, Jason Momoa dhe Rebecca Ferguson, i bënë ballë shiut të Londrës duke parakaluar mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës së filmit të shumëpritur fantastiko-shkencor.

“Jo, kjo është e mrekullueshme. E kemi përjetuar një pandemi dhe ka kaluar kohë e gjatë që nuk kemi përjetuar këso atmosfere. Njerëzit po duken mjaft të entuziazmuar prandaj kjo energji më bënë të disponohem shumë”, deklaroi Chalamet.

“E mahnitshme. Thjeshtë jam shumë i lumtur që më në fund filmi po prezantohet për publikun. Me padurim po pres të fillojnë xhirimet e pjesës së dytë. E dua këtë film shumë dhe mezi pres të kthehemi me vazhdimin e radhës.

I pyetur se si po ndihet që i tërë ekipi i filmit është ribashkuar, Momoa tha: “Është fenomenale. Do të doja shumë që Oscar Isac dhe Josh Brolin të ishin këtu me ne, por ky film e përfshinë një ekip të mrekullueshëm të aktorëve dhe jam I lumtur që gjendem në këtë premierë me kolegët e mi, Timothee, Rebecca dhe Zendaya”, përfundoi aktori.

“Po, jam shumë e lumtur. Kjo është një përvojë emocionuese. E kemi pasur një rrugëtim gjashtë javësh të intervistave dhe premierave anembanë botës, dhe secilën herë publiku na ka mirëpritur me shumë entuziazëm. Është vërtetë mahnitëse dhe ndjejë sikur të gjithë jemi ringjallur disi pas pandemisë”, deklaroi para gazetarëve aktorja Rebecca Ferguson.

I bazuar në historinë klasike të vitit 1965 të Frank Herbertit, “Dune” është një tregim heroik i një familjeje të ngritur, luftërave ndërgalaktike, një erëze të çmuar dhe krimbave vdekjeprurës të rërës.

Regjisori i nominuar për “Oscar”, Denis Villeneuve, i cili shquhet për filma epik të tillë si, “Arrival” dhe “Blade Runner 2049”, e kishte vizionin e tij për këtë projekt të cilin e kishte ëndërruar nga momenti që e kishte zbuluar librin kur ishte vetëm tinejxher. Dhe me përkrahjen e studiove filmike “Legendary” dhe “Warner Bros”, një buxheti prej 165 milionë dollarësh në dispozicion, përimtimin për një vazhdim të dytë të filmit dhe një viti ekstra të siguruar nga pandemia për të arritur rezultate të përkryera, Villeneuve arriti ta realizojë filmin e tij të dëshiruar, “Dune”.

Filmi e rrëfen historinë e Paul Atreides, i portretizuar nga Timothee Chalamet, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por, konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rrit jetëgjatësinë. Melange, po ashtu, është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në të gjithë universin.

Në premierë, kolegët e Chalamet patën vetëm fjalë të mira dhe vlerësime të larta për të, si person dhe si aktorë.

“Ne menjëherë u bëmë shokë të mirë. Qysh në fillim e kuptova se do t’ia kalonim mirë me njëri-tjetrin. Dhe kjo nuk ndodhë vetëm ngase shpresojmë të realizojmë më shumë filma së bashku. Me të vërtet ai është një person i mrekullueshëm dhe padyshim që është i talentuar, por ai gjithashtu e ka një shpirt kaq të mrekullueshëm dhe është një person i mirë, me një energji pozitive dhe është kënaqësi të jesh në shoqërinë e tij. Prandaj, përgjatë vjetëve ne jemi bërë miq të afërt dhe unë ndihem shumë mirënjohëse për këtë gjë”, tha Zendaya.

“Mendoj se ai është një prej aktorëve më të mirë të Hollywoodit dhe jemi argëtuar shumë duke punuar së bashku. Ai është shumë i veçantë në mënyrën e tij të aktrimit dhe më dukej sikur duhej ta jepja më të mirën nga vetja duke aktruar krahas tij. Por, unë ndihem me fat për shumicën e njerëzve më të cilët punojë. Ai është vërtetë shumë i aftë dhe i pavarur për moshën që e ka”, deklaroi Rebecca Ferguson.

“Timothee është një talent i rrallë. Aftësi sikur të tij i sheh një herë në gjeneratë. Isha i bekuar që pata rastin të punoja me të. Dhe po, kam mësuar shumë duke punuar me Timothee. Mendoj se që të dy ndihemi kështu”, u shpreh në premierë regjisori i filmit.

“Atë e kam si vëlla. Thjesht është një person i dashur dhe i ëmbël. Ai po ashtu është shumë i talentuar. Ne argëtohemi shumë se bashku dhe po, ai i meriton të gjitha të mirat dhe sukseset në jetë. Një aktorë shumë punëtor dhe i përkushtuar” përfundoi tutje Momoa.

Zendaya po ashtu e ka një rol të rëndësishëm në film, por sipas regjisorit personazhi i saj do të eksplorohet më shumë në vazhdimin e dytë të filmit. Villeneuve gjithashtu ka deklaruar se mezi pret të punojë sërish me yllin e filmave “Spiderman” pasi e vlerëson lartë talentin e saj.

Dhe sipas traditës së ndjekur nga studioja “Warner Bros.” gjatë vitit 2021, filmi “Dune” do të lansohet nëpër kinema dhe në platformën HBO Max, nga 22 tetori.