Showbiz

Ditëlindja e 75-të e të ndjerit David Bowie do të shënohet me disa lansime të reja

Foto: AP/Associated Press

Vitin e ardhshëm, mbikëqyrësit e pasurisë së yllit të ndjerë të muzikës, David Bowie, do ta lansojnë një album postmortum dhe disa produkte tjera, për ta shënuar ditëlindjen e 75-të të legjendës së muzikës.

Ylli i hitit “Suffragette City” vdiq në vitin 2016, dy ditë para ditëlindjes së 69-të, pas një beteje private me sëmundjen e kancerit. Më 8 janar të vitit 2022, ai do ta shënonte 75-vjetorin e lindjes.

Sipas dokumenteve të lëshuara nga kompania e cila e menaxhon pasurinë e këngëtarit, “Jones/Tintoretto Entertainment Company”, shumë shpejtë pritet të lansohen disa projekte të reja, përfshirë këtu muzikë dhe video.

Edhe e veja e David Bowie, Iman me fëmijët e tyre, Alexandria dhe Duncan, po ashtu po bëhen gati t’i publikojnë disa produkte me qëllim të shënimit të këtij momenti historik.

Së fundmi u bë i ditur lajmi se albumi i humbur i vitit 2001 i artistit, “Toy”, do të lansohet kah fundi i këtij viti.

Ylli i hitit “Space Oddity” e kishte rishikuar dhe rishqyrtuar materialin e kaluar të këtij albumi, që kombinonte këngë të reja me versione të freskëta të këngëve më pak të njohura të realizuara nga viti 1964 deri më 1971, dhe koleksioni final do të lansohet më 26 nëntor të këtij viti krahas publikimeve tjera postmortum. Incizimi do të përfshijë këngë klasike të Bowiet, si kënga e tij debutuese “Liza Jane”, hitet “You’ve Got a Habit of Leaving”, “Silly Boy Blue” dhe të tjerë.

Kompania për mbikëqyrjen e pasurisë së muzikantit të ndjerë, kohët e fundit e arriti një marrëveshje historike me “Warner Music Group”, që do të thotë se labeli kryesor i muzikës tani i zotëron të drejtat për të gjithë katalogun e këngëtarit ikonik. “Warner” tashmë i zotëronte të drejtat e muzikës së ikonës David Bowie, të lansuar nga 1968 deri më 1999.

Albumet e lansuara nga studioja incizuese “Sony”, “Heathen”, “Reality”, “The Next Day” dhe “Blackstar”, do të bëhen pjesë e kompanisë “Warner” nga viti 2023.