David Furnish, bashkëshorti i muzikantit të njohur britanik, Elton John, ka bërë të ditur se këngëtari është në dhimbje të mëdha pas operacionit të fundit në ijë, por po tregohet i fortë dhe po mundohet ta tejkalojë këtë sfidë.
Ylli i hitit “Rocket Man” u detyrua ta shtyjë turneun e tij Evropian dhe Britanik, “Farewell Yellow Brick Road”, për vjeshtë të vitit 2023 për shkaqe shëndetësore. Tani, bashkëshorti i tij vjen me përditësime rreth shëndetit të këngëtarit.
Duke folur për revistën “HELLO!”, Furnish tha: “Ai është mirë. Plaga po i shkakton shumë dhimbje por po e mbanë veten mirë. Ai po ndihet shumë keq për faktin se i është dashur t’i shtyjë data e koncerteve, por shëndeti i njeriut duhet të jetë prioritet dhe nuk mendoj se ai do të mund ta përfundonte turneun me sukses, nëse nuk do t’i nënshtrohej operacionit në ijë. Prandaj, ndihem i lehtësuar dhe i lumtur që e tejkaloi edhe këtë procedurë. Tani ai mund të kthehet në skenë dhe të performojë pa pasur dhimbje, të gjithë do të jetë të lumtur si dhe do të mund ta përjetojnë një performancë sa më të mirë nga ai”.
74-vjeçari John në shtator të këtij viti e bëri të ditur lajmin se po detyrohet ta vonojë turneun e planifikuar, për shkak të një aksidenti si pasojë e së cilit pësoi lëndim të madh në ijë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari kishte deklaruar: “Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar, ju njoftoj se më duhet t’i shtyjë data e koncerteve të planifikuara për vitin 2021, si pjesë e turneut “Farewell Yellow Brick Road” në Evropë dhe Britani të Madhe. Në fund të pushimit veror u rrëzova papritur në një sipërfaqe të fortë dhe kam pasur dhimbje në ijë që atëherë. Me gjithë trajtimin intensiv fiziologjik dhe specialist, dhimbja ka vazhduar të përkeqësohet dhe po më sjell vështirësi në lëvizje. Jam këshilluar që të operohem sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u kthyer në palestër dhe të sigurohem që nuk ka ndërlikime afatgjata”.
Aktualisht, Elton John, është duke e shijuar suksesin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit të tij të ri me këngëtaren kosovaro-britanike, Dua Lipa. Kënga e tyre “Cold Heart”, po vazhdon të ketë performancë të mira në toplistat muzikore anembanë botës.