Këngëtari i famshëm, Ed Sheeran, e zëvendësoi veten në pozitën e parë të toplistës zyrtare të këngëve më të mira në Britani të Madhe, pasi hiti i tij i fundit “Shivers” debutoi në pozitën e parë. Kjo është kënga e 11-të e kantautorit të famshëm që e shënon një sukses të tillë.
“Shivers” që është kënga e tretë e albumit të ardhshëm të yllit britanik të muzikës, shënoi shitje të kënaqshme nga lansimi i saj në treg para një jave.
Me këtë sukses të “Shivers” në toplistën e këngëve më të mira në Britani të Madhe, projekti i kaluar i këngëtarit, “Bad Habits”, e humbi titullin e kampionit dhe tani pozicionohet në vendin e tretë, pas hitit të fundit të reperit kanadez Drake, “Girls Want Girls”, i cili renditet i dyti në listë.
Kjo nuk është hera e parë që Sheeran e mund veten në këtë toplistë. Për herë të parë e bëri një gjë të tillë në janar të vitit 2018, kur kënga e Eminemit “River” pjesë e së cilës ishte edhe ai, e rrëzoi nga pozita e parë solo projektin e tij “Perfect”.
Në vendin e katërt të toplistës këtë javë u pozicionua bashkëpunimi i dyshes, Elton John dhe Dua Lipa, “Cold Heart”. Kënga rrëshqiti nga pozita e 11-të në të katërtën falë suksesit që e ka shënuar anembanë botës në toplista, radiostacione dhe platforma muzikore.
Kurse, artisti Central Cee e kompleton top pesëshen e kësaj liste me këngën, “Obsessed With You”, duke u shënuar suksesin më të mirë të reperit nga Londra në këtë toplistë.