Showbiz

Rihanna heq dorë nga padia ndaj të atit

Rihanna ka hequr dorë nga padia ndaj babait të saj, vetëm disa javë para se ata të takoheshin në gjykatë.

Këngëtarja e famshme amerikane kishte akuzuar babain, Ronald Fenty, se ka shfrytëzuar emrin e saj për të përfituar kompania e tij e reklamave, dhe e paditi atë në vitin 2019 për reklama të rreme dhe shkelje të privatësisë.

Ajo gjithashtu kishte deklaruar se ai ishte përpjekur ta rezervonte atë në një turne jashtë shtetit pa leje.

Rasti ishte paraparë të vihej në gjykatë më 22 shtator, mirëpo Rihanna ka vendosur që të heq dorë nga ai.

Lidhur me këtë nuk është dhënë ndonjë sqarim, mirëpo mediat amerikane raportojnë se Riri ka arritur një marrëveshje jashtë gjyqësore me të atin dhe partnerin e tij në biznes.

Rihanna, emri i vërtetë i së cilës është Robyn Rihanna Fenty, kishte ngritur padi ndaj babait të saj, dy vjet më parë duke deklaruar se “ndonëse z.Fenty ishte babai i saj, ai nuk ka dhe asnjëherë nuk ka pasur autoritet që të vepronte në emër të saj”.

Ajo pretendonte se në vitin 2017, babai i saj dhe një burrë tjetër, Moses Perkins, kishin krijuar një kompania të quajtur Fenty Entertainment, e cila në vazhdimësi deklaronte se kishte lidhje me Rihannan.

Këngëtarja e cila këtë vit është shpallur muzikantja më e pasur në botë, ka që një kohë të gjatë marrëdhënie të tensionuar me të atin, i cili në të kaluarën kishte luftuar me alkoolizmin dhe varësinë nga droga.