Showbiz

Rita Ora pas nëntë muajsh kthehet në shtëpi

Rita Ora është gati të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë pas nëntë muajsh, kur edhe do t’i rikthehet rolit si paneliste në emisionin e ITV-së “The Masked Singer”.

Ylli 30 vjeç, u largua nga Britania në janar pasi u bë pjesë e “The Voice Australia” dhe që atëherë është zhvendosur në Los Angeles me të dashurin e ri Taika Waititi. Por, do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për dy javë xhirime në tetor, dhe kjo do të jetë paraqitja e saj e parë në Mbretërinë e Bashkuar prej kur mori kritika për organizimin e festës së saj të ditëlindjes së 30-të në kulmin e izolimit të tretë kombëtar të Britanisë.

Një burim ka thënë për “The Sun”: “Asaj i pëlqen ky emision dhe megjithëse ka krijuar një jetë të re në Los Angeles, ishte e vendosur të kthehej përsëri. Ka qenë jashtë Mbretërisë së Bashkuar përgjatë vitit 2021, por nuk do të kthehet për shumë kohë, sepse për momentin udhëtimi është planifikuar vetëm për dy javë. Do të ketë rregulla të rrepta kundër COVID-19 në xhirime, por shpreson t’i takojë familjarët dhe miqtë. Është vërtet e rëndësishme për të”.

“Ngjarjet e vitit të kaluar e lënduan shumë. Ajo e sheh këtë si një udhëtim pune. Los Angeles është tani shtëpia e saj”. Rita theu protokollin pandemik në nëntor kur mbajti një festë ditëlindjeje në restorantin “Casa Cruz”.

Menjëherë pas incidentit, Rita u nis për në Bullgari ku filmoi një video muzikore dhe pas kësaj kaloi shtatë muaj në Sidnei ku filmoi versionin australian të “The Voice”. Regjisori Taika, 45 vjeç, ishte gjithashtu në Sidnei në atë kohë duke e xhiruar filmin “Thor: Love And Thunder” dhe yjet mendohet se janë takuar përmes një miku të përbashkët.

Çifti më pas u nis për në Los Angeles në qershor dhe debutoi në tapetin e kuq si çift në premierën e “The Suicide Squad” të hënën.

Rita u kap dy herë duke shkelur rregullat e izolimit në nëntor. “Mail On Sunday” zbuloi se para festimit të ditëlindjes, këngëtarja fluturoi me avion privat në Kajro më 21 nëntor për të performuar në hotelin me pesë yje “W Hotel”.

Ajo u kthye të nesërmen dhe sipas rregullave të karantinës së Qeverisë, duhej të izolohej për 14 ditë. Në vend se ta bënte këtë gjë, organizoi një festë ditëlindjeje më 28 nëntor në restorantin luksoz “Casa Cruz” në Notting Hill, Londra Perëndimore.