Showbiz

Nirvana paditet nga foshnja e kopertinës së albumit të tyre “Nevermind”

Spencer Elden, djaloshi i cili ishte fotografuar si foshnje, për kopertinë e albumit të Nirvanas “Nevermind”, ka paditur grupin e famshëm të rokut për shfrytëzim seksual.

Kopertina e paraqet Eldenin si një foshnjë katër muajshe, në një pishinë, teksa përpiqet të kap një monedhë 1 dollarëshe e cila qëndron para tij, si një karrem për peshkim.

Mirëpo, Elden tani 30-vjeçar, deklaron se prindërit e tij asnjëherë nuk kanë dhënë autorizim për përdorim të imazhit të tij për albumit e rok grupit, në mënyrën se si është përdorur ai.

Ai po ashtu ka ngritur padi për fotografinë nudo të tij, e cila siç pretendon, përbën pornografi.

“Pamjet ekspozojnë pjesët intime të Spencerit duke shfaqur pjesë e tij gjenitale, në kohën kur ai ishte vetëm foshnje”, thuhet në deklaratën e akuzës së lëshuar ndaj Nirvanas.

Fotografitë jo të seksualizuara të fëmijëve në përgjithësi nuk konsiderohen pornografi me fëmijët, sipas ligjit amerikan.

Pavarësisht kësaj, avokati i Eldenit, Robert Y.LeWis, ka thënë se përfshirja e monedhës dollarëshe në fotografi, e cila ishte montazh, e bënë fëmijën të duket si “punonjës seksi”.

Në deklaratën e akuzës po ashtu thuhet se Nirvana kishte premtuar që të mbulonte pjesët gjenitale të Eldenit, mirëpo marrëveshja nuk ishte respektuar.

Eldeni pretendon se emri dhe identiteti i tij janë lidhur përgjithmonë me shfaqjen seksuale të tij si foshnje, pamje kjo e cila është shitur në mbarë botën dhe vazhdon të shitet edhe tani.

Ai po kërkon dëmshpërblim në vlerë prej të paktën 150,000 dollarësh nga secili prej 15 të pandehurve, që përfshin anëtarët e bendit që ende jetojnë Dave Grohl dhe Krist Novoselic, menaxherët e Kurt Cobain, ish-bashkëshorten e Cobainit, Courtney Love dhe fotografin, Kirk Weddle.

Më shumë se 30 milionë kopje të albumit “Nevermind” janë shitur në të gjithë botën.