Showbiz

Bob Dylan mohon ta ketë abuzuar seksualisht një grua kur ajo ishte 12-vjeçare

Bob Dylan po paditet nga një grua e cila thotë se kantautori i njohur amerikan e ka abuzuar seksualisht në vitin 1965, kur ajo ishte vetëm 12-vjeçare.

Sipas padisë ligjore, gruaja në fjalë e cila tani është 68-vjeçare dhe në dokumentet gjyqësore është prezantuar me inicialet, J.C, spekulon se ylli i muzikës rok e ka shfrytëzuar statusin e tij si muzikant i famshëm për ta fituar besimin e saj dhe për t’i dhënë alkool dhe droga, e më pas e ka abuzuar seksualisht disa herë.

Ajo thotë se Dylan po ashtu ka përdorur kërcënime për dhunë fizike ndaj saj, si dhe pretendon që si pasojë e kësaj përvoje ajo vuan nga shqetësimi i rëndë mendor, ankthi, poshtërimi dhe siklet, si dhe pretendon që kaq pësuar humbje ekonomike. Kjo nënkupton që ajo mund të jetë duke kërkuar të kompensohet financiarisht nga fituesi i çmimit Nobel.

Besohet se ngjarja ka ndodhur në apartamentin e këngëtarit në New York.

80-vjeçari Bob Dylan, emri i vërtetë i së cilit është Robert Allen Zimmerman, i ka mohuar kategorikisht këto akuza, derisa zëdhënësi i tij për “BBC”-në ka deklaruar se “akuzat që datojnë 56 vjet prapa janë plotësisht të pavërteta dhe do të kundërshtohen fuqishëm në gjykatë.

Gjatë karrierës muzikore gjashtë dekada, Dylan i ka shitur më shumë se 125 milionë albume anembanë botës. Disa prej këngëve të tij më të njohura janë: “Blowin’ In The Wind”,  “Knockin’ On Heaven’s Door” dhe “The Times They Are a-Changin”.

Në vitin 2016, fituesi i shpërblimeve “Grammy” dhe “Oscar” u nderua me çmimin Nobel për Letërsi, duke u bërë kantautori i parë që e fiton këtë shpërblim prestigjioz. Ai gjithashtu është nderuar me Medaljen Presidenciale për Liri në vitin 2012, nga presidenti i atëhershëm Barack Obama.