Showbiz

“Cold Heart” bashkëpunimi i suksesshëm i dyshes Elton John dhe Dua Lipa

Ylli i njohur i muzikës, Elton John, e befasoi turmën në një restorant gjatë fundjavës, duke e dhënë një performancë të improvizuar të bashkëpunimit të tij të ri me Dua Lipën.

Ikona britanike e muzikës, Elton John, dhe ylli i muzikës pop me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, të premten e lansuan këngën e re me titull “Cold Heart” e cila vjen në versionin remix dhe e shoqëruar me një videoklip të animuar.

Për ta festuar publikimin e këtij projekti, John i cili gjendet në rivierën franceze, Kanë, vendosi të interpretojë live këngën në restorantin “La Guérite Beach”.

“Gjatë karantinës e kam realizuar këtë këngë me Dua Lipën, e cila u lansua të premten. Dua që të gjithë të vallëzoni me interpretimin tim live të këngës ‘Cold Heart’” dëgjohet duke thënë John në videon e këtij interpretimi të xhiruar me telefon mobil.

“Mendova se ishte ide e mirë t’i befasoja njerëzit në restorantin ‘La Guerite Beach’ me një performancë live të këngës sime të re”, kishte shkruar muzikanti i njohur në një postim në llogarinë e tij në Instagram.

Vitin e kaluar, John dhe Lipa, kanë bashkëpunuar për koncertin e transmetuar live të pop këngëtares së famshme, “Studio 2054”, kurse në fillim të vitit 2021, Lipa ishte mysafire speciale në ndejën e Elton Johnit të organizuar para ceremonisë “Oscar”. Ngjarja bamirëse e mban titullin “Elton John’s AIDS Foundation”.

“Cold Heart” ka dy ditë që është publikuar në YouTube dhe i numëron më shumë se 2 milionë klikime.

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Elton John (@eltonjohn)