Showbiz

Eilish, Sheeran dhe Cabello ndër performuesit e ngjarjes “Global Citizen Live”

Descriptive Text

Yjet e njohur të muzikës, Billie Eilish, Ed Sheeran dhe Camila Cabello do të interpretojnë në ngjarjen “Global Citizen Live”.

Treshja me famë botërore është pjesë e grupit të performuesve yje në koncertet që do të mbahen në Lagos, Paris dhe New York City më 25 shtator.

Artistët në këtë formë ndihmojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për t’iu kërkuar qeverive, organizatave të mëdha dhe filantropëve, që të bëhen bashkë për mbrojtjen e planetit dhe të gjithë njerëzit e prekur nga varfëria e skajshme.

Billie Eilish dhe Camila Cabello në koncertin e New Yorkut do të shoqërohen nga artistët e tjerë, Coldplay, Jennifer Lopez, Lizzo, Meek Mill dhe Shawn Mendes. Burna Boy, Cyndi Lauper dhe Lang Lang, po ashtu do të kenë performance si të ftuar special në ngjarjen e cila zë vend në SHBA.

Kurse ylli i hitit “Bad Habits”, Ed Sheeran, do të përfshihet në koncertin e Parisit bashkë me këngëtarët Doja Cat, DJ Snake, H.E.R., grupi “Black Eyed Peas”, dhe “Christine and the Queens”.

Femi Kuti, Davido, Tiwa Savage dhe Made Kuti, do ta argëtojnë turmën në koncertin e mbajtur në Lagos të Nigerisë.

Artistët kanë pranuar të jenë pjesë e ngjarjes historike 24-orëshe e cila do të transmetohet në disa kanale televizive dhe platforma digjitale, si “ABC”, “ABC News Live”, “BBC”, “FX”, “iHeartRadio”, “Hulu”, “YouTube”, “TIME”, “Twitter” dhe “+MORE”.

Performancat janë llogaritur të përkojnë me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator, dhe takimeve G20 dhe COP26 të cilat zënë vend në fund të këtij viti.

Lëvizja “Global Citizen” e cila gjendet prapa organizimit të kësaj ngjarjeje, ka për synim që t’i japë fund varfërisë ekstreme deri në vitin 2030.