Showbiz

Christina Ricci në pritje të fëmijës së dytë

Foto: AP/Associated Press

Aktorja 41-vjeçare, Christina Ricci, është shtatzënë me fëmijën e dytë.

Ylli i njohur hollywoodian e cila tashmë e ka djalin 6-vjeçar, Freddie, me ish-bashkëshortin James Heerdegen, e ndau një fotografi të sonografit në Instagram vetëm një muaj pas finalizimit të shkurorëzimit, të shoqëruar me mbishkrimin: “Jeta vazhdon të bëhet me e bukur”.

 

 

Ende nuk është konfirmuar se kush është babai i foshnjës së yllit të filmave “Addams Family”, por sipas uebfaqes për të famshëm “TMZ”, ai mund të jetë floktari i saj, Mark Hampton, i cili gjithashtu e ka ndarë fotografinë me të njëjtin mbishkrim, në llogarinë e tij në Instagram.

Para një viti, Ricci bëri kërkesë për shkurorëzim nga James Heerdegen, me të cilin u martua në vitin 2013, pas një incidenti të supozuar të dhunës familjare.

Gjashtë muaj më vonë aktorja e siguroi një urdhër ndalesë ndaj ish-bashkëshortit, çka nënkupton se ai nuk mund t’i afrohet më shumë se 100 metra.

Ricci kishte deklaruar në polici që dhuna ndaj saj kishte filluar në vitin 2013, kur ajo e zbuloi se ishte shtatzënë me fëmijën e parë dhe tregoi se James, po ashtu e kishte kërcënuar disa herë se do ta vriste atë.

“Ai më tha se mënyra e vetme që do ta bënte të ndjejë keqardhje për mua, është nëse unë do të copëtohesha në pjesë të vogla. Atë natë i fsheha të gjitha thikat në shtëpinë ku po rrinim. Kisha frikë për jetën time dhe jetën e djalit tonë. Unë fjeta në një dhomë gjumi bashkë me Freddien dhe e mbylla derën për t’u mbrojtur nga James”.

Ngjarja besohet të ketë ndodhur në vitin 2020 dhe avokati i Heerdegenit atëkohë kishte insistuar se klienti i tij, i mohon pa mëdyshje të gjitha akuzat për abuzim të bëra nga Ricci.

James gjithashtu kishte kërkuar urdhër ndalesë ndaj aktores, nën pretendimet se Christina është ajo që ka ushtruar dhunë familjare dhe e akuzoi atë për konsumim të tepruar të alkoolit. Por kërkesa e tij ishte refuzuar nga gjykata.

Së fundmi u konfirmua lajmi se Ricci do të luajë në filmin e ardhshëm, “The Matrix 4”. Keanu Reeves, Carrie-Anne Moss, Yahya Abdul-Mateen II, Priyanka Chopra Jonas, Jonathan Groff, Neil Patrick Harris, Jessica Henwick, Telma Hopkins, Eréndira Ibarra, Toby Onwumere, Max Riemelt, Brian J. Smith dhe Jada Pinkett Smith e plotësojnë kastën e aktorëve të këtij projekti me buxhet të lartë.

Vazhdimi i katërt i filmit “The Matrix”, planifikohet të lansohet për publikun e gjerë më 22 dhjetor të këtij viti. Sipas raportimeve të fundit në media dhe portale të ndryshme filmi do ta mbajë titullin, “The Matrix Resurrections”, dhe vjen me skenar të shkruar nga Lana Wachowski e cila shërben edhe si producente, David Mitchell dhe Aleksander Hemon.