Trileri i parë i filmit “Cinderella”, që është ripërpunimi i fundit i përrallës klasike, e sjell princeshën e portretizuar nga këngëtarja dhe aktorja Camila Cabello, në një version krejt tjetër, të asaj që nuk është në kërkim të princit.
Në filmin e ri gruaja e re ëndërron që ta ndërtojë perandorinë e saj të modës, në një kohë kur gratë supozohet që të mendojnë vetëm për martesë.
Filmi i ardhshëm është një version i modernizuar i historisë së vajzës bonjake, e cila detyrohet të jetojë me njerkën dhe dy vajzat e saj shpirtliga. Por kësaj radhe protagonistja Ella nuk portretizohet si grua që ka nevojë për ndihmën e një burri.
Ajo, më shumë se asgjë tjetër, dëshiron që të bëhet rrobaqepëse dhe që një ditë ta lansojë linjën e saj të veshjeve.
Kur njerka e saj e pamëshirshme ia ndalon të shkojë në ballo, duke ia zbehur shanset për t’i promovuar modelet e fustaneve që i ka krijuar, Hirushja vizitohet nga zana magjike, që në këtë rast portretizohet nga ylli i shout “Pose”, Billy Porter.
Ella natyrisht mbërrin që të shkojë në ballo, sikurse në versionin origjinal, me ç’rast edhe rrëmben vëmendjen e princit beqar, por edhe disa klientëve potencialë.
Filmi “Cinderella” vjen me skenar dhe regji të Kay Cannonit dhe krahas Cabellos në të luajnë edhe yjet” Idina Menzel, Minnie Driver, James Corden dhe Pierce Brosnan. Lansimi i tij do të bëhet më 3 shtator.